Dy vdekje nga HIV/AIDS në Kosovë, regjistrohen 21 raste të reja

Dy vdekje nga HIV/AIDS në Kosovë, regjistrohen 21 raste të reja

22:26, 23/07/2026

HIV është një infeksion që mund të parandalohet. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë mundësojnë një jetë të gjatë dhe cilësore. Informohu, testohu dhe mbro veten dhe të tjerët. Bashkë kundër stigmës dhe diskriminimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka publikuar një poster informues për ndërgjegjësimin mbi HIV/AIDS, duke bërë thirrje për informim, testim dhe mbrojtje nga infeksioni.

Sipas të dhënave të paraqitura, në periudhën 1 janar – 17 korrik 2026, në Kosovë janë regjistruar 21 raste të reja me HIV dhe 2 vdekje të lidhura me këtë sëmundje.

IKSHPK sqaron se HIV është virusi që dobëson sistemin imunitar, ndërsa AIDS është faza e avancuar e infeksionit me HIV. Instituti thekson se, me trajtim të hershëm, HIV mund të mbahet nën kontroll dhe personat e infektuar mund të jetojnë jetë të shëndetshme.

Në materialin informues përmenden edhe mënyrat kryesore të transmetimit të virusit:

-marrëdhëniet seksuale të pambrojtura;

-kontakti me gjak të infektuar;

-transmetimi nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji.

Njëkohësisht, IKSHPK thekson se HIV nuk transmetohet përmes:

-kontaktit të përditshëm;

-përdorimit të përbashkët të enëve;

-përqafimeve dhe shoqërimit;

-pickimit të mushkonjave.

Instituti u bën thirrje qytetarëve të testohen, duke nënvizuar se testimi është i thjeshtë, i shpejtë dhe konfidencial, ndërsa testimi i hershëm shpëton jetë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco