Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një shtetasi të Serbisë, me inicialet Z.M., i arrestuar më 22 korrik 2026 nën dyshimin për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
Sipas Prokurorisë, arrestimi i të dyshuarit është bërë në flagrancë pas një hetimi të zhvilluar dhe sigurimit të provave materiale.
“Pas zhvillimit të hetimeve intensive dhe grumbullimit të provave materiale, më 22.07.2026, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar në flagrancë personi i dyshuar me inicialet Z.M., shtetas i Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas organit të akuzës, armët e zjarrit dyshohet se janë importuar nga Serbia dhe më pas janë modifikuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Armët e zjarrit janë importuar nga Republika e Serbisë dhe më pas janë modifikuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Ndaj të dyshuarit ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa më 23 korrik Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë Gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sipas nenit 364 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
© SYRI.net