Gjatë protestës së 54-t qytetare, e cila po zhvillohet këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë, gazetari i SYRI TV, Klajdi Bodlli, është penguar nga forcat e Policisë së Shtetit teksa po raportonte nga terreni. Protesta po mbahet paralelisht me seancën plenare, ndërsa policia ka vendosur një perimetër sigurie më të gjerë se në protestat e mëparshme.
Në lidhje direkte për SYRI TV, Bodlli bëri me dije se fillimisht ai dhe ekipi i xhirimit u ndaluan te kordoni i sigurisë pranë Urës së Rrugës së Elbasanit, ku kontrolli i gazetarëve bëhej nga punonjës të Gardës së Republikës.
Më pas, gjatë tentativës për të filmuar pranë hyrjes së Kuvendit, gazetari tha se ai dhe operatori u penguan nga pesë ose gjashtë efektivë policie, të cilët nuk i lejuan të vijonin filmimet. Sipas Bodllit, efektivët u komunikuan se nuk lejohej filmimi në hapësirën pas kordonit të policisë, pa dhënë asnjë shpjegim mbi bazën ligjore të këtij urdhri.
Gazetari deklaroi se ka tentuar të kontaktojë drejtorin e Policisë së Tiranës, Oliger Torba, si edhe zëvendësdrejtorin për Rendin, Dashamir Muça, për të marrë sqarime mbi urdhrin që ndalonte filmimet në një hapësirë publike, por deri në momentin e raportimit nuk kishte marrë përgjigje.
Bodlli raportoi gjithashtu se në terren nuk ishin angazhuar vetëm efektivë të Policisë së Tiranës, por edhe forca të ardhura nga rrethet, repartet “Shqiponja” dhe forcat e rendit. Sipas tij, gjatë incidentit policët ndërhynë për ta larguar ekipin e televizionit në momentin kur po tentonte të filmonte transportimin e një personi të dëmtuar nga zona pas kordonit të sigurisë.
Sipas gazetarit të SYRI TV, urdhri i policisë kufizon raportimin e mediave në një zonë publike dhe pengon pasqyrimin e zhvillimeve që po ndodhin gjatë protestës.
© SYRI.net