LDK në ditën më të trazuar, nga nisma për shkarkimin e Abdixhikut te bllokimi i negociatave

LDK në ditën më të trazuar, nga nisma për shkarkimin e Abdixhikut te bllokimi i negociatave

11:12, 16/07/2026

Në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike janë dorëzuar nënshkrimet për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, dhe kryetari i degës së dytë të kësaj partie në Prishtinë, Florian Dushi, kanë dorëzuar nënshkrimet e grumbulluara për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.

Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit, çka ka çuar edhe në përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Orë më vonë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se detyrohet që të ndërpresë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, për shkak të zhvillimeve brenda partisë.

Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se ka autorizuar sekretariatin e partisë që të nisë procedurat për mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm partiak, pasi gjatë ditës 148 delegatë të Kuvendit të LDK-së dorëzuan nënshkrimet për mbajtjen e tij me kërkesën për shkarkimin e kreut partiak.

Pas verifikimit të nënshkrimeve, Abdixhiku tha se do të cakohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.

“Për shkak të kësaj nisme, detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës që i prisni me të drejtë tash e sa kohë”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme që ai të vazhdojë të negociojë në emër të LDK-së, “ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”.

“Ndjej keqardhje që sot jam i detyruar ta kthejmë vëmendjen sërish nga vetja tek një proces që mund të na dëmtojë pariparueshëm nga brenda dhe ta lërë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se nuk beson që bisedimet me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të kenë qenë arsyeja për thirrjen e Kuvendit partiak nga 148 anëtarë të LDK-së.

Sipas tij, në historinë 37-vjeçare nuk ka pasur praktikë në LDK që kreu i saj të shkarkohet pak muaj para zgjedhjeve të rregullta partiake dhe pak muaj pas konfirmimit të mandatit të tij.

Më 10 korrik, Abdixhiku së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, zhvilluan diskutime me Kurtin, për çështjen e themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të qershorit.

Ndonëse palët pas takimit nuk raportuan për ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje për institucionet e reja.

Ndërkaq, dje u raportua se mesLDK-së dhe LVV-së ishte arritur në parim një marrëveshje për ndarjen e posteve kyç shtetërore, por zyrtarizimi i saj nuk ishte bërë për shkak të situatës së brendshme në partinë e Abdixhikut.

Këto raportimet nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco