Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se tash e tutje ndalohen fluturimet mbi zonën operacionale të saj.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, KEK ka thënë se sot e ka pranuar vendimin e KFOR’it, sipas të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur Zonë e Ndaluar për Fluturime, me theks të veçantë të dronëve, shkruan Reporteri.net.
“Ky hap përfaqëson një dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes. KEK sh.a. shpreh mirënjohjen e thellë për rolin e KFOR-it në kontributin ndaj sigurisë së objekteve të saj”, thuhet në njoftim.
Sipas Ligjit, objektet dhe asetet e KEK-ut kategorizohen si pjesë e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës.
“Kjo infrastrukturë përfaqëson themelin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke e bërë atë një produkt thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar. Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj infrastrukture, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj”, thuhet në njoftim
© SYRI.net