Komuna të shumta të Kosovës po përballen me vatra të shumta zjarri që po shkaktojnë dëme të mëdha materiale dhe mjedisore. Në lidhje me këtë situatë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një komunikate duke shprehur solidaritet të plotë me qytetarët e prekur dhe duke bërë thirrje për veprim të koordinuar nga të gjitha nivelet institucionale.
“Shpreh solidaritetin tim të plotë me të gjithë qytetarët e prekur, me fermerët që po humbin frytet e mundit dhe djersës së tyre, si dhe me ekipet emergjente që po punojnë pa u ndalur për t’i vënë nën kontroll këto zjarre”, theksoi Osmani, raporton Syri Kosova.
Presidentja shprehu mirënjohje të veçantë për zjarrfikësit, punonjësit e emergjencës dhe vullnetarët që janë në vijën e parë të përballjes me flakët, duke vlerësuar guximin dhe përkushtimin e tyre.
Sipas saj, institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është në gjendje gatishmërie të plotë dhe gati të ndërhyjë nëse kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore.
Osmani u bëri thirrje qytetarëve për kujdes maksimal: “Të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë tek autoritetet përkatëse. Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve”, përfundon reagimi i Presidentes.
© SYRI.net