Në përpjekjen e 52-të dhe të fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës para skadimit të afatit kushtetues, pritet që ambasadorë të vendeve të huaja në Kosovë, sot të jenë të pranishëm.
Ambasada Gjermane ka njoftuar se ambasadori Jorn Rohde, bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit që do të mbahet sot.
“Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament,” thuhej në njoftimin e ambasadës.
Më 26 korrik skadon afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar një kërkesë për të sqaruar pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri në këtë afat, duke theksuar se “kompromisi nuk po shihet askund”.
Ditën e djeshme, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur të caktojë masë të përkohshme ex officio, përmes së cilës ndalohen çdo vendim dhe veprim i deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me Seancën Konstituive pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në Aktgjykimin e parë (pas kërkesës së AAK-së). Masa e përkohshme e Kushtetueses, e përcakton se kjo ndalesë vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Seanca pritet të nis sot në ora 11:00.
© SYRI.net