‘Roli i grave po shumëfishohet’/ Tërmkolli: Është detyrë e jona të shporrim nga politika sorosianët, me në krye Edi Ramën

11:51, 08/03/2025

Politikania e Lidhja Demokratike e Kosovës, Melihate Tërmkolli ishte e pranishme në shpalosjen e programit të PD, për 'fuqizimin e grave dhe vajzave'.

Duke sjellë në vëmendje vuajtjet që kanë kaluar gratë e Kosovës gjatë periudhës së luftës, ish-deputetja është shprehur se roli i grave po shumëfishohet në politikë. Ndërsa djathtizmi dhe konservatorizmi, sipas Tërmkollit, nuk janë lojë fjalësh, janë themeli i familjes, themeli i kombit edhe i besimit në zot, sepse është e djathta e Zotit.

Melihate Tërmkolli: Historia e grave të Kosovës, nuk mund të thuhet me fjalë të tjera, përveçse një histori e luftës dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme për liri dhe të udhëhequra nga presidenti Ibrahim Rugova. Gratë e Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës me në krye presidentin Rugova, duke u ngritur dhe kryengritur për liri, ngritën edhe botën në përkrahje të tyre dhe kjo kundërrezistenca e jonë kulmoi me atë që njihet si ndër protestat më të mëdha, më madhështoret por edhe ndër protestat më ikonike në organizimet botërore të grave dhe më unike, ‘Marshi për Drenicën’, vetëm një javë pas rënies heroike, luftës madhështore të Jasharëve, familjes Adem Jashari. Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë falë edhe miqve tanë, në krye me SHBA-të. Dhe në këtë histori s’mund të mos e them që kryeministri, presidenti e kryetari Sali Berisha, u bë lajmëtari i pavarësisë së Kosovës.

Sot në epokën Trump që ka një ndryshim të madh të botës, roli i grave jo që është zbehur, por shumëfishohet. Djathtizmi dhe Konservatorizmi, nuk janë lojë fjalësh, janë themeli i familjes, themeli i kombit edhe i besimit në zot, sepse është e djathta e Zotit. Kush më shumë se shqiptarët dhe kush më shumë se gratë shqiptare, kanë ditur dhe dinë ta ruajnë e kultivojnë këtë djathtizëm, këtë konservatorizëm. Është detyrë e jona ta bëjmë dhe do ta bëjmë. Por ky synim arrihet kur të kemi shporrur nga politika, sorrogatët e Kombit, sorosianët e kozmopolitanë antikombëtarë, me në krye Edi Ramën. Njeriu që po bën politika edhe më antikombëtare se vetë diktatori Enver Hoxha. Edhe kundra Kosovës, dhe sidomos kundër Kosovës. Po rrezikon shkatërrimin e ADN-së së Shqiptarëve, zbrazjen dhe zhdukjen e tyre. Por ne e themi dhe do ta themi, që kurrë nuk zhduken shqiptarët në këtë botë deri sa të kenë Sali Berishën. Deri sa të ketë PD, deri sa të ketë Shqipëri e Dardani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco