Konferenca e Sigurisë në Mynih mblodhi javën e kaluar liderë të shumë vendeve, ndër të cilët ishte edhe Kryeministri Albin Kurti. Në kuadër të kësaj konference, ai ka takuar edhe Kryediplomaten e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas dhe Emisarin e ri të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Për pritjet që ka nga ta, Kurti derisa ishte në Mynih ka folur në “Table Briefings”.
“Pres vendosmëri dhe qartësi se vlerat evropiane nuk do të sakrifikohen për konsiderata afatshkurtra gjeopolitike, nga frika se presioni ndaj Beogradit do ta kthejë atë në një Bjellorusi të re në Evropën Juglindore. Fatkeqësisht, regjimi në Serbi tashmë ka vendosur të mbajë anën e Kremlinit. Shpresoj që ata të mbajnë një pasqyrë në Serbi në vend që të vazhdojnë ta vëzhgojnë Kosovën me dylbi”, ka thënë Kurti.
Duke folur për procesin e dialogut, e i pyetur nëse protestat në Serbi, mund të ndikojnë në ndryshim të politikës në lidhje me njohjen e Kosovës, Kurti ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen, por fillimisht Serbia të bëhet një vend normal demokratik.
Kurti është shprehur optimist se Kosova do të mund të anëtarësohet në BE gjatë 1o viteve të ardhshme, e duke theksuar se kjo duhet të bëhet bazuar në merita.
“Mendoj se mesatarja është nëntë vjet, kështu që duhet t’i përmbahemi mesatares. Ne duam të anëtarësohemi në BE jo vetëm për të përfituar, por edhe për të kontribuar. Dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Në raportin e vendeve të BE-së për progresin e Kosovës thuhet se Kosova ka bërë progres në 36 nga 38 fusha. Ne duam që kjo të njihet më shumë dhe duam një proces të bazuar në performancë. Asnjë derë e pasme dhe asnjë proces i shpejtë”, ka deklaruar Kurti.
© SYRI.net