Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konferencë për shtyp, ka reaguar ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama për Erion Veliajn, duke e cilësuar të gjithë këtë si “lotë krokodili”. Ai e ka pyetur publikisht nëse nuk është vetë Rama që e vuri Veliajn në procesin e persekutimit “woke”, duke i kërkuar atij llogari për ndërhyrjet e tij në politikën e brendshme dhe për veprimet ndaj opozitës.
Berisha solli si shembull metaforën për zogun sqepkëpucë, duke e lidhur me sjelljen e Ramës që, sipas tij, ka ushqyer dhe dëmtuar figurat e tij të besuara. Në vijim, ai theksoi nevojën për një prokurori të fuqishme dhe të pavarur, duke u shprehur se një prokurori politike është armiku i brendshëm i Shqipërisë. Berisha gjithashtu i referohej deklaratave të zv/presidentit të SHBA-së, JD Vance, i cili kishte paralajmëruar për rrezikun që paraqet politika e shtypjes dhe censurës, duke e konsideruar si kërcënim për demokracinë.
FJALA E BERISHËS:
Për sa i përket lotëve të krokodilit të Edi Ramës për Erion Veliajn, është kuptuar gjerësisht që janë lotë krokodili.
Më falni, a nuk është Edi Rama që e vuri Erion Veliajn në procesin e persekutimit ‘woke’? A nuk ia preu ai fotografinë në krah kur i tha çelësin e qytetit Ali Ahmetit? A nuk paralajmëroi ai që do ketë se do ketë arrestime? A nuk dërgoi ai Belinda Ballukun për të drejtuar partinë?
Unë socialistëve u thashë dje, lexoni pak për zogun sqepkëpucë.
Ai zog ka një veti, ai zog ha zogjtë e tij.
Kaq është, t’i biem shkurt.
Zogu sqepkëpucë ushqehet me zogjtë e tij.
Pra, besoj se unë u përgjigja.
Shqipëria do të ketë një prokurori të fuqishme të pavarur natyrisht jopolitike se pastaj ai është armiku i brendshëm pastaj.
JD Vance i tha Europës, ai bëri në Europë deklaratën më të fuqishme që ka bërë një burrë shteti pas Reganit që i dha Gorbaçovit ‘rrëzoje këtë mur’.
Dhe ky tha, armikun e keni ju, armiku i brendshëm i juaji është problemi më madhor. Hiqni mandate me gjykata, anuloni zgjedhje dhe hiqni mandate, arrestoni liderin e opozitës për të marrë mandate, mbyllni media sociale, TikTokun siç e mbyll Edi Rama.
Pra, këtu jemi, le të dalë ai sy më sy dhe si të dojë çdo ditë, por këto nuk i fsheh dot ai.
Prandaj rikthehem edhe njëherë tek fotoja për të cilën lëvizën aviona dhe miliona, po nuk doli, nuk u pa.
Nuk u bë, nuk u shkrep.
© SYRI.net