Mesditën e sotme, pas një loje hiporkite dy ditore, Edi Rama e lëshoi Erion Veliajn publikisht, ku përmes një deklarate në rrjetin social X theksoi se, “as unë, as PS s’kemi punë me Veliajn, tani të merren avokatët e tij me të.
LEXO EDHE: Rama del hapur: S’kam punë me Veliajn më, le të merren avokatët e tij
Kjo deklaratë e Ramës erdhi pasi doli lajmi se do të shkonte në qeli t’i bënte presion Veliajt për të mbyllur gojën.
Pasi ka lexuar deklaratën e Ramës, Veliaj është bindur që tani duhet filluar me numëruar ditët e burgut, pasi vendin në bashki ia zuri Rama, vendin në qarkun e Tiranës po ashtu, dhe sot ka nisur ditën 1 duke sulmuar prokurorët dhe duke u kapur pas një lapsusi, e gjitha për të ngritur alibinë e justifikimeve të hajdutërive dhe jetës prej sheiku që kishte nisur të bëntë familjarisht.
Nga gjithë reagimi duket se Veliaj ndihet i tradhëtuar nga Rama dhe ndoshta do të fillojë ta shantazhojë nga qelia, derisa ka nisur numërimin.
Postimi i plotë i Veliajt:
Kurdisja e një paçavureje 1
Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado.
U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.”
Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerez të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër.
Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes.
Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”?
Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime.
Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.
© SYRI.net