Qeveria e Kosovës ka miratuar sot një vendim për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Federatës Ruse në përputhje me vendimet zbatuese të Këshillit të BE-së.
Ata plotësuan vendimin e 13 qershorit të këtij viti për “zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare nga Republika e Kosovës në lidhje me obligimet ndërkombëtare ndaj individëve dhe subjekteve të lidhura apo përgjegjëse për veprimet që cenojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.
Masat e reja do të nënkuptojnë kufizime të reja si ndalimi i eksportit të teknologjisë së avancuar ose mallrave që kanë ndikim në aftësitë industriale dhe ushtarake të Rusisë.
Po ashtu, siç ka sqaruar zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Liza Gashi, sanksione ndaj Rusisë janë duke u vendosur edhe në sektorin e gazit të lëngshëm natyror.
Kjo është të paktën pakoja e 13-të e sanksioneve kundër Rusisë e vendosur nga Kosova në përputhje me BE-në dhe SHBA-në që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022.
© SYRI.net