Forumi Kombëtar Serb: Të ndalet me të gjitha mjetet tradhtia e mëtejshme

Forumi Kombëtar Serb: Të ndalet me të gjitha mjetet tradhtia e mëtejshme

10:07, 29/08/2022

Edhe Forumi Kombëtar Serb i është bashkuar kritikave për marrëveshjen, e cila shfuqizon dokumentin serb të hyrje-daljeve për kosovarët me letërnjoftime të Kosovës. Ata e akuzuan presidentin serb “në mënyrë më të ashpër”, siç thonë ata, për “tradhti të interesave kombëtare, shkelje të Kushtetutës, uzurpim të juridiksionit, si dhe manipulim të paparë dhe poshtërim të Serbisë dhe serbëve nga Kosova”.

Ata thonë se njohja e dokumenteve të lëshuara nga autoritetet e Kosovës nga ana e Serbisë është “një gur tjetër në themelin e forcimit të pavarësisë së Kosovës”.

“Sipas të njëjtit skenar, si gjatë zbatimit të mëparshëm të pjesëve të Marrëveshjes së Brukselit, Aleksandar Vuçiq edhe kësaj radhe me manipulime të paprecedentë, i shtypur pas murit, pranoi atë për çka më parë ishte betuar se nuk do ta bënte kurrë” konsiderojnë në FKS.

Ata pyesin edhe “çfarë bëri diplomacia e Vuçiqit aq madhështore”.

“Serbët nga Kosova do të mund të hyjnë në Serbi me letërnjoftime serbe, siç kanë mundur më parë, shqiptarët do të mund të hyjnë në Serbi me letërnjoftime të Kosovës, siç nuk kanë mundur më parë! E prishtë dhe e turpshme!”, kanë vlerësuar ata.

FKS vlerëson se vetëm njëzet ditë më parë, Vuçiq “e solli situatën e sigurisë në dhe rreth Kosovës deri në vlim, gjoja duke mbrojtur interesat e Serbisë dhe serbëve të Kosovës”.

“Frika dhe trauma që krijoi Vuçiq me sjelljen e tij shkaktoi dëme të pariparueshme për serbët e Kosovës. Pas gjithë veprimeve të tilla të tij, në Kosovë janë me qindra serbë, të cilët për shkak të pashpresës që ai krijon, kërkojnë shpëtim duke i lënë vatrat e tyre shekullore”, pretendohet në reagim.

Ata thonë se kështu ka qenë edhe kur Vuçiq ka thënë se “nuk kemi asgjë në Kosovë”, se “nuk ka serb në Çagllavicë, Bresje dhe Fushë Kosovë”, se “gjithmonë ka qenë pro demarkacionit në Kosovë".

FKS beson se nuk duhet të presim ndonjë sjellje ndryshe nga “presidenti i plotfuqishëm” as sa i përket targave.

Ata pretendojnë se Vuçiq, duke pranuar reciprocitetin, e ka eliminuar Serbinë nga Kosova dhe ka pranuar të vendosë letër ngjitëse në stemën dhe flamurin e Republikës së Serbisë.

“Dhe kësaj radhe, duke pranuar reciprocitetin, do të pranojnë të promovojnë publikisht dhe hapur flamurin dhe stemën e Republikës së Kosovës!? Nëse është çështje pragmatike, pse nuk është bërë më parë, pa bujë dhe frikësim të popullit, pa pasoja të papara dhe pa fitoren boshe të diplomacisë së Aleksandar Vuçiqit”, thonë nga ky Forum.

Fatkeqësisht, shtojnë ata, nuk ka rezistencë serioze ndaj “shitjes së paprecedentë të interesave kombëtare dhe shtetërore serbe”.

“Dhe kreu i KOS-it hesht. Pse? A është e mundur që për të jetë më e rëndësishme të flasë dhe të mbështesë presidentin dhe qëndrimin e tij për “Europride”!? E çka me Kosovën, ku është në vepër shitja më e hapur e interesave serbe, duke përfshirë edhe interesat kishtare!? E pabesueshme!!!”, shtohet në reagim.

Ata thonë se përgjigjen në pyetjen “pse duhej të ishte kështu dhe pse duhet të vazhdohet kështu” duhet ta japë “Serbia normale, populli, institucionet… Dhe atë sa më parë”.

“Ky mashtrues dhe manipulues duhet të ndalet menjëherë me të gjitha mjetet ligjore dhe politike në dispozicion. Nëse nuk është vonë!”, vlerësojnë në Forumi Kombëtar Serb.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco