Kosova përballë “kushtit” të vështirë në finalen drejt KiE-së

Kosova përballë “kushtit” të vështirë në finalen drejt KiE-së

10:28, 30/04/2024

Kosovës po i kërkohen hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për hapa në këtë këtë drejtim kanë qenë të njëpasnjëshme gjatë ditëve të fundit. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Madje, kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga kur pritet të mblidhet Komiteti i Ministrave, në Këshillin e Evropës, Qeverisë së Kosovës i është bërë të qartë rëndësia e hapave konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këtë hiç më larg se mbrëmë e tha edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz  gjatë një bisede në telefon që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Scholz i ka theksuar Kurtit  mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe i rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë e hapave konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lidhur me këtë bisedë me kancelarin gjerman ka shkruar edhe kryeministri Kurti.

Kurti tha se ka kërkuar nga Scholz të vazhdojë mbështetjen e saj për Kosovën edhe për anëtarësimin në Këshill të Evropës.

Kryeministri po ashtu ka thënë se ia ka rikonfirmuar Scholzit angazhimin për ta zbatuar plotësisht Marrëveshjen Bazë, pa thënë këtu asnjë fjalë për kërkesën e Scholz për Asociacionin.

“Në një telefonatë me kancerlarin Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermani do të mbështesë kandidaturën tonë në Këshillin e Evropës në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në “X”.

Të njëjtën kërkesë ia bëri Kurtit mbrëmë edhe ambasadori i Francës, Oliver Guerot. Gurot ka thënë se nëse Kosova do që ta fitojë votën në Këshillin e Evropës, duket të bëjë hapa konkret rreth Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Ambasadori francez tha se ky hap mund të bëhet nëse Kosova e dërgon draft-statutin e asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

“Presidenti tregoi mbështetjen e palëkundur të Francës ndaj Kosovës që nga ditët e para, që nga viti ‘99 e më tutje, dhe pastaj një mbështetje të palëkundur për integrimin evropian dhe institucionet evropiane të Kosovës, ku Këshilli i Evropës është një prej tyre. Kosova mund të bëjë disa gjëra për të rritur gjasat që ta fitojë këtë votim, dhe ajo që duhet të bëhet dhe për qëndrimin tonë duhet ta bëjë, është që të bëjë hapa konkret drejt themelimit apo krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai në Klan Kosova.

“Është një hap, diçka reale, diçka konkrete dhe për mua çka do të thosha, diçka të pakthyeshme, diçka që nuk mund të tërhiqet pasi të jetë kryer kjo punë, ajo që të cilën e kanë të gjithë parasysh, besoj unë, duke iu referuar draft-statutit të asociacionit që BE-ja ka hartuar për ta dërguar atë në gjykatën kushtetuese në përputhje me procedurat e duhura”, tha Guerot.

Gjatë javës së kaluar edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës që të bëjë “përparim urgjent” sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kjo pas një takimi që ai ka pasur me kryeministrin Kurti.

“SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të lëvizur përpara ne na duhet zbatimi i zotimeve të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, përfshirë edhe përparimin urgjent sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sot diskutova me kryeministrin Kurti për hapat pozitivë që janë të nevojshme”, shkroi ai në X.

Ishte  po ashtu edhe presidenti francez Emmanuel Macron, ai i cili  javën e  kaluar kërkoi “hapa të shpejtë për Asociacionin…në kontekstin e aplikimit të Kosovës në KiE”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të martën e kaluar se Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kontekst të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Kurti më vonë informoi se Macron ka insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë me Serbinë.

 

Si ide ka qarkulluar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Për këtë Osmani është pyetur gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Por, ajo ka thënë se ligjërisht nuk mund ta bëjë këtë pa një akt të Qeverisë.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.

Ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

“Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes”, tha presidentja Osmani.

Edhe i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar për Asociacionin.

“Nëse nuk ka përparim sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, është e vështirë të pritet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.

Lajçak theksoi se Kosova dhe Serbia i dinë obligimet e tyre që janë përgjatë rrugës për integrim evropian.

“Për Serbinë është raporti vjetor i Komisionit Evropian që tregon saktësisht se çfarë duhet bërë. Për Kosovën është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Përveç kësaj, në përputhje me vendimet e Këshillit të BE-së, normalizimi i marrëdhënieve është një parakusht për përparimin në rrugën europiane, BE ka thënë qartë se nuk mund të importojë probleme të pazgjidhura dypalëshe”, tha Lajçak.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, po ashtu ka kërkuar themelimin e Asociacionit.

Ajo tha se thirrjet e ndërkombëtarëve duhet të merren parasysh, pasi siç tha ajo janë një hap i rëndësishëm.

“Më duhet të përsërisë shqetësimin që e kanë shprehur edhe shtetet tjera anëtare për rregulloren e BQK-së dhe mënyrën se si ka ndiku në komunitetet jo shumicë. Palët janë takuar pesë herë. Mbetemi me shpresë se një zgjidhje mundet me u gjet. Një tjetër element i marrëveshjeve kryesore që mundet me ofru zgjedhje, si për këtë por edhe çështje tjera të normalizimit, është marrja e hapave të sinqertë të besueshëm krahas themelimit të Asociacionit të komunave serbe. Thirrjet për themelimin e Asociacionit duhet të merren parasysh sepse janë hap i rëndësishëm. Implementimi i plotë i marrëveshjes së ndihmuar nga BE-ja është prioritet edhe më i madh për të ikur krizave dhe është me rëndësi që të dy palët të jenë të përkushtuar për një angazhim konstruktiv që të gjejnë kompromise praktike”, tha ajo në seancën e OKB-së.

Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco