Nga mospranimi i Kosovës në KiE përfiton Rusia dhe Serbia, thotë Hoxhaj

Nga mospranimi i Kosovës në KiE përfiton Rusia dhe Serbia, thotë Hoxhaj

12:11, 17/05/2024

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, beson se nga mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përfitonte vetëm Rusia dhe Serbia.

Më 17 maj të premten Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të mbajë seancën e saj të radhës. Shqyrtimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare nuk është në agjendën e sotshme të Komitetit të Ministrave.

Sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme, bota demokratike sot do të përballet me një provë kritike.

“Sot, në Këshillin e Evropës, bota demokratike përballet me një provë kritike për premtimin e dhënë në vitin 2008 – integrimin e Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare dhe si për Kosovën përkushtimin që ka dhënë – për një shoqëri multietnike. Nga Mospranimi i Kosovës do të përfitonte vetëm Rusinë dhe Serbinë”, ka shkruar Hoxhaj në platformën sociale, X.

Kosova përfundimisht nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Arsyeja për këtë ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës së seancës së Komitetit të Ministrave, Qeveria e Kosovës, të enjten, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në letrën që e ka dërguar më 15 maj Këshillit të Evropës, ka potencuar se në Kushtetuese do ta dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar.

Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punon në një draft-statut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).

“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres.

Marrë për bazë këtë hap konkretë Gërvalla në letër ka potencuar se “presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco