Urrejtja e Ramës nuk njeh kufij, largon gazetaren e Syri Tv nga konferenca me mediat

21:41, 06/04/2022

Javën e kaluar, kryeministri Edi Rama i shqiptoi dënimin gazetares së Syri Tv, Ambrozia Meta, me 60 ditë terr informativ, pasi pyetjet që i bëri ajo, pas arrestimit të Alqi Bllakos, nuk i pëlqyen.

Ish-deputeti i PS u bë ligjvënësi i radhës që iu vunë prangat dhe përfundoi në qelinë e burgut për aferën e inceneratorit të Fierit.

Në të kaluarën të njëjtin fat me të pësoi edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, njëherazi ish-kandidat i PS për deputet në 25 prill në Qarkun e Durrësit, por që dha dorëheqje, duke i paraprirë asaj që e priste.

Bashkë me të arrestuarit e tjerë ndër vite, kryesisht deputetë, Partia Socialiste bën një grup parlamentar në qelitë e burgut. Ky ishte konstatimi që gazetarja e Syri Tv Ambrozia Meta ia tha në sy kryeministrit, i cili në vend që të përgjigjej në lartësinë që i ngarkon detyra dhe të mbante përgjegjësi përpara qytetarëve dhe votuesve të tij, zgjodhi arrogancën, kërcënimin dhe dënimin.

Dënim të cilin sot e bëri fakt të kryer, duke urdhëruar Gardën e Republikës që gazetarja e Syri Tv të lihej jashtë kangjellave të selisë së PS.

Çuditërisht, shoqatat e gazetarëve të cilat janë të shumta në numër në vendin tonë, kanë zgjedhur të heshtin. Nuk reaguan as kur Rama kërcënoi gazetaren e as sot kur atë kërcënim të një jave më parë e ka jetësuar duke e përkthyer në zbatim.  

Dhe nesër e pasnesër, Rama do të shqiptojë dënime nga më të pazakontat për të tjerë gazetarë, nëse ata do të tentojnë t’i bëjnë pyetje bezdisëse. Shantazh dhe presion më neveritës se ky ndaj medias nuk mund të ketë. Dhe për më tepër kur mban firmën dhe vulën e kryeministrit të vendit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco