Kosovarët po i merr në qafë kriza energjetike

Kosovarët po i merr në qafë kriza energjetike

12:54, 23/12/2021

Gjithçka që kishte para syve iu errësua për një moment. E, kjo ndjesi, Sanie M, qytetare nga Prishtina, përpos që ia kujtoi gjendjen e para 20 vjetësh, ku rryma ndalej orë e çast, asaj ia solli ndërmend edhe vështirësitë që do i ketë për të zbritur poshtë banesës së saj, për të dal në qytet.

Duke qenë se është e ‘lidhur’ pas karrocës tash e sa vjet, kur nuk do të ketë energji elektrike për ashensor, asaj do i duhet të qëndrojë brenda, apo, edhe nëse është jashtë, duhet të rrijë aty derisa të vjen rryma, në mënyrë që të ngjitet në banesën e saj në katin e tretë.

Në një bisedë për Syri.net Kosova, Sania tha se që nga momenti që është në karrocë, është përballur me vështirësi të ndryshme, por, tani që i ka dal edhe kjo pengesë, po e kupton që vështirësitë në fakt nuk paskan fund!

“Prej që jam lidh në këtë karrocë unë nuk kam pa ditë të mira. Po bile dilsha, kom pa njerëz, kom pa objekte e natyrë, mu doke ma ndryshe. Po tash nëse rryma nalet, e unë a mbes jashtë a mbes krejt ditën brenda, ka me pas hala ma zor. Unë banoj në katin e tretë, kush me m’mbajt mu, kush me m’end poshtë e nalt. Mos ta përmendi pjesën që kur s’mundesh me dal, ma shumë ki qef me dal, bile me heq pak këtë merëzi” tha ajo.

Përpos kësaj pjese, për zonjën në fjalë është problem edhe ngrohja, pasi thotë se trupi po ia ndjen shumë të ftohtit.

E pyetur se a ka menduar që do ketë probleme të tilla me qeverinë Kurti, ajo tha se ka menduar që kur vjen ai, Kosova do bëhet shpresë për jetë.

“Veç edhe ma keq. Dorën n’zemër kam mendu që ai ka me ndriçu Kosovën, po, n’fakt për ditë e ma në terr po na çon” tha ajo.

E, jetën krejt ndryshe e ka menduar edhe i riu prishtinas, Alban Berisha.

Madje, duke e përdorur një shaka, ai tha se ka menduar që në vitin 2021 do fluturojnë veturat, por, në Kosovë s’ka as energji elektrike me mbush baterinë e telefonit.

“Le që s’po ka makina fluturuese, po s’po ka as rrymë me e mbush telefonin me bateri, që bile me lujt lojëra me makina të tilla” ironizoi ai.

 Mungesën e energjisë po e ndjen secili në të mënyrën e tij.

Por, për Gentiana Krasniqin, kur është fjala për djalin e saj, ajo duhet me doemos të gjej një zgjidhje, në mënyrë që i vogli i saj të mos ketë të ftohtë.

“Ngrohemi me rrymë, e tash që ka lind edhe djali është bërë me problem, sepse, nuk është vetëm një orë apo dy që mbesim pa rrymë. Kur po ftohet banesa po duhet me gjet zgjidhje tjera, në mënyrë që djali mos me pas të ftohtë. Mu m’kujtohet periudha kur ndalej rryma kështu kur isha fëmijë dhe me kujtohet koha kur nëna e ndizte shporetin për me na ngroh, po këtu në banesë nuk po kem se si me ndez zjarrin” tha ajo.

Për ndalesën e rrymës në Kosovë, ka pasur reagime të shumta.

Ndonëse Qeveria Kurti në një mbledhje në orët e vona ndau 20 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike, kjo krizë po shkon e po thellohet.

Qytetarët vazhdojnë të jenë të shqetësuar sa i përket kësaj krize, për ditët në vazhdim, duke qenë se dimri po shkon e po bëhet më i acartë./Erdonit Hoxha/Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco