Si rrallëherë opozita del në krah të Qeverisë

Si rrallëherë opozita del në krah të Qeverisë

15:09, 26/09/2021

Gjendja në veri të Mitrovicës ka bërë bashkë pozitë e opozitë, si rrallëherë.Kryeministri Kurti gjatë ditës priti në takim krerët e partive opozitare, por të pranishëm u panë vetëm Memli Krasniqi nga radhët e PDK, dhe Lumir Abdixhiku nga LDK, derisa nga AAK, nuk u pa Ramush Haradinaj.

Ky i fundit ka reaguar përmes një statusi në Facebook, derisa ka thënë se ka qenë në ora 09:00 në zyrën e kryeministrit por ai nuk ishte aty, derisa takimi kishte nisur në orën 10:00, transmeton Syri.net Kosova.

E ky takim i thirrur nga kryeministri Kurti, sigurisht se nuk ka kaluar pa u komentuar nga opinioni publik.

Analisti politik, Fitim Salihu, në një postim në llogarinë e vet në Facebook, ka thënë se kryeministri është me fat që e ka në opozitë Memli Krasniqin e Lumir Abdixhikun, dhe jo Albin Kurtin.

“Albin Kurti është me fat që nuk e ka në opozitë Albin Kurtin, por Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun. Dy liderët opozitarë sot pranuan ftesën e Kurtit për takim. Po ashtu, PDK-ja e LDK-ja, duke e prioritizuar interesin shtetëror dhe sigurinë nacionale, e përkrahën aksionin policor në veri. As e interpretuan si potez elektoral, as e njollosën si protagonizëm personal dhe as e kritikuan për dështim në largimin e barrikadave, siç bënte LV-ja më 2011 – hiç më larg se tri ditë pas aksionit të Policisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

Një reagim tjetër pozitiv erdhi edhe nga filozofi, Blerim Latifi i cili përmes një statusi në Facebook deklaroi se me përgjigjien pozitive të ftesës nga Kurti, Memli Krasnqi e Lumir Avdixhiku mund të kenë zgjuar zemërimin e militantëve të tyre partiakë, por të dy, me këtë veprim, kanë dëshmuar pjekuri të madhe politike.

“Duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për t'u takuar që të diskutojnë së bashku zhvillimet e fundit në veri, Memli Krasnqi e Lumir Avdixhiku mund të kenë zgjuar zemërimin e militantëve të tyre partiakë, por të dy, me këtë veprim, kanë dëshmuar pjekuri të madhe politike, rezon shtetëror dhe aftësi për të vepruar përtej barrierave të vendosura nga lufta për pushtet.  Për këtë shembulli i tyre meriton të vlerësohet! Edhe vetë Kurti duhet dhe ka nevojë të marrë mësim prej këtij shembulli!”, ka shkruar Latifi.

Ndërkaq, sipas zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyçit, të njëjtit kanë bërë diçka që Albini Kurti në tërë karrieren e tij poliitke nuk e ka bërë, sipas tij, të dy janë ulur kryeministrin e vendit për folur për interesin e Kosovës.

“Memli Krasniqi dhe  Lumir Abdixhiku kan bërë diçka që Albini Kurti në tërë karrieren e tij poliitke nuk e ka bërë. Këta dy janë ulur sot me kryeministrin e vendit për folur për interesin e Kosovës!”, ka shkruar Bytyçi.

Në njoftim për media nga zyra e Kryeministrit u theksua se takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës.

“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, deklaruan nga Zyra e Kryeministrit Kurti,

Vendosja e reciprocitetit me Serbinë dhe kërkesa që secili automjet që hynë nga Serbia në Kosovë të pajiset me targa të përkohshme bëri që serbët në Jarinje e Bërnjak të protestojnë kundër këtij vendimi.

Të njëjtit prej shtatë ditësh kanë vendosur barrikada të ndryshme në këto dy pika kufitare ndërsa qëndrojnë ditë e natë duke brohoritur e kënduar këngë nacionaliste serbe.

Përpos kësaj, në Zubin Potok e Zveçan dje pati edhe dy incidente me zjarr ku u dogjën qendrat per regjistrim të automjeteve.

Takimi i Kurtit me me liderët opozitarë ka filluar në ora 10:00 ndërsa u zhvillu abrenda objektit të Qeverisë së Kosovës.

Për situatën në veri pati reagime të shumta edhe nga ambasadat e huaja në Kosovë, të cilët kërkuan ulje të tensioneve nga të dy vendet.

Presidentja, Vjosa Osmani anuloi dje vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara në Amerikë për t’u kthyer në Kosovë shkaku i tensioneve në veri./Syri.net Kosova



 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco