Azemi i AAK-së: 100 ditë janë pak për aq shumë skandale

Azemi i AAK-së: 100 ditë janë pak për aq shumë skandale

10:43, 03/08/2021

Zyrtari për Informim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Azemi ka thënë se 100-ditshi i Qeverisë Kurti ka sjell vetëm dëshpërim për qytetarët, sepse kjo qeveri funksionon nga e kaluara, jo për të ardhmen.

 

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se pajtohet plotësisht me kryeministrin Kurti kur thotë se qeveria të cilën e drejton ai, nuk krahasohet me qeveritë e kaluara.

“Pajtohem plotësisht me Kryeministrin Kurti kur thotë se Qeveria të cilën ai e drejton nuk krahasohet me qeveritë e mëparshme. Saktë, nuk krahasohet, madje me asnjë prej tyre. Kjo e fundit është shumë më e vendosur dhe më dinamike në shkatërrimin e vendit. 100 ditshi i kësaj qeverie karakterizohet me shkarkime e ngarkime të bordeve, kapje të tyre në emër të ç’kapjes, punësime familjare, keqpërdorim i parasë publike përmes tenderëve pa ndonjë procedurë dhe pa e ditë ku shkojnë dhe pse, shpifje, etiketime, shantazhe, zhgënjim e dëshpërim për qytetarët që besuan në ndryshim”, ka shkruar Azemi.

Ai ka thënë se veprimet dhe vendimet e Qeverisë Kurti janë populiste që kanë për qëllim zgjedhjet lokale, jo përtej tyre.

“Kjo qeveri funksionon nga e kaluara, jo për të ardhmen. Nuk ka kaluar asnjë ditë e vetme që zyrtarë të lartë shtetëror në vend që të flasin për projekte konkrete, ata akuzojnë ish-qeveritë. Pra, veprime e vendime populiste që për qëllim kanë zgjedhjet lokale, jo përtej tyre dhe jo për shtetin dhe qytetarët”, është shprehur ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti ka thënë se as Kryeministri dhe as kabineti i tij ose nuk kanë interesim për Komunat, dhe për këtë mjafton të dihet sa vizita kanë realizuar ata nëpër Komuna.

“Qeveria Kurti ka mungesë ekstreme të vullnetit për të krijuar mirëqenie dhe zhvillim. As kryeministrit dhe as kabinetit të tij nuk i intereson qytetari, Komuna, shteti dhe e ardhmja e tyre. Sa muaj kaluan nga votimi në Kuvend, hulumtoni dhe e shihni sa vizita Kurti i ka bërë nëpër Komuna, bile në ato ku qeverisen nga Vetëvendosje, mos të flasim për të tjerat”, ka shtuar Azemi.

Azemi ka shtuar se Kurti e ka marrë besimin qytetarë për ta sjell ndryshimin, jo për t’ia përkujtuar qytetarëve ish-qeveritë.

“Kosova nuk qeveriset duke akuzuar paraardhësit sepse besimi qytetarë iu është dhënë për të sjell ndryshimin, jo për t’ia përkujtuar çka kanë bërë ish-qeveritë”, ka përfunduar ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco