Adeyemi prezantohet te Barcelona: Kur mora vesh interesimin e Barçës, nuk e besoja dot

Adeyemi prezantohet te Barcelona: Kur mora vesh interesimin e Barçës, nuk e besoja dot

16:53, 23/07/2026

Karim Adeyemi është prezantuar zyrtarisht si futbollisti më i ri i Barcelonës, me sulmuesin gjerman që ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me klubin katalanas. Në konferencën e parë për shtyp, ai pranoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të merrte një telefonatë nga Barça dhe zbuloi se trajneri Hansi Flick ishte faktori kryesor që e bindi të pranonte transferimin.

“Kur mora vesh për interesimin e Barcelonës, nuk e besoja dot. Sezoni im i kaluar nuk ishte më i miri dhe jam shumë mirënjohës. Flick më tha: ‘Dua që të vish, por duhet të japësh gjithçka’. Pikërisht këtë dua të bëj”, deklaroi Adeyemi.

Sulmuesi gjerman shtoi se nuk iu desh shumë kohë për të marrë vendimin, duke e cilësuar Barcelonën si klubin më të madh në botë. Ai theksoi se besimi që i transmetoi Flick ishte vendimtar dhe u shpreh i gatshëm të luajë në çdo rol të repartit ofensiv.

“Flick është arsyeja kryesore pse jam këtu. Ai më shpjegoi çfarë pret nga unë dhe unë vij për të ndihmuar ekipin të arrijë objektivat. Më pyeti nëse isha gati për këtë hap të madh dhe unë i thashë ‘po’”, u shpreh 24-vjeçari.

Adeyemi foli edhe për idhujt e tij, duke veçuar Lionel Messin dhe Ronaldinhon. Ai refuzoi të krahasonte Lamine Yamalin me Messin, duke theksuar se çdo futbollist duhet të krijojë historinë e vet.

“Shpresoj që Lamine të mos mërzitet, por askush nuk mund të jetë si Messi. Çdo lojtar duhet të ndjekë rrugën e tij. Sigurisht që Lamine mund ta fitojë një ditë Topin e Artë”, tha ai.

Në fund, Adeyemi vlerësoi atmosferën në skuadër dhe faktin që Barcelona ka shumë kampionë bote në organikë. Ai zbuloi gjithashtu se një nga synimet e tij të para jashtë fushës do të jetë të mësojë gjuhën spanjolle për t’u përshtatur sa më shpejt me jetën në Katalunjë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco