Lewis Hamilton ka pësuar një aksident të fortë gjatë seancës së tretë stërvitore për Çmimin e Madh të Belgjikës në Formula 1, duke shkaktuar dëme të mëdha në makinën e tij Ferrari.
Piloti britanik humbi kontrollin në kthesën Fagnes në pistën e Spa-Francorchamps dhe përfundoi në zhavorr, përpara se të përplasej me barrierat e gomave.
Përplasja dëmtoi pjesën e pasme të makinës dhe pezullimin, duke detyruar ekipin e Ferrarit të punojë kundër kohës për riparimet.
Pas aksidentit, Hamilton komunikoi përmes radios së skuadrës, duke pranuar gabimin: “E kam shkatërruar makinën, shok. Më vjen keq”. Inxhinieri i tij i garës, Carlo Santi, iu përgjigj duke e qetësuar: “Nuk ka problem”.
Para incidentit, shtatë herë kampioni i botës ishte renditur i pesti më i shpejtë në pistë.
Seanca u ndërpre përkohësisht nga flamujt e verdhë, ndërsa mbetjet e makinës së Ferrarit u shpërndanë në pistë.
Kimi Antonelli i Mercedesit ishte më i shpejti në këtë sesion me kohën 1:45.990, duke lënë pas Lando Norrisin e McLarenit dhe Max Verstappenin e Red Bullit.
Charles Leclerc u rendit i gjashti, ndërsa Oscar Piastri, Nico Hulkenberg, Gabriel Bortoleto dhe Isack Hadjar plotësuan dhjetëshen më të mirë të stërvitjes së fundit para garës në Spa.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: