Vojvoda nis një aventurë të re në Serie A, kalon nga Como tek Udinese

Vojvoda nis një aventurë të re në Serie A, kalon nga Como tek Udinese

18:23, 18/07/2026

Mërgim Vojvoda është zyrtarisht futbollist i ri i Udineses. Klubi italian ka konfirmuar transferimin e mbrojtësit të Kombëtares së Kosovës nga Como, duke i besuar një kontratë deri më 30 qershor 2028, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.

29-vjeçari rikthehet kështu në një etapë të re në Serie A, pasi më herët ka veshur edhe fanellën e Torinos. Vojvoda shquhet për fleksibilitetin e tij në fushë, pasi mund të luajë si mbrojtës i djathtë në një skemë me katër mbrojtës ose si krah i djathtë me tipare sulmuese.

I lindur në Kosovë në vitin 1995, ai e nisi karrierën në Holandë dhe Belgjikë, përpara se të transferohej në elitën e futbollit italian në vitin 2020. Me Torinon zhvilloi 135 ndeshje dhe realizoi tre gola.

Në janar të vitit 2025 kaloi te Como, ku u bë një nga lojtarët kyç të skuadrës. Gjatë sezonit të kaluar zhvilloi 30 ndeshje, shënoi dy gola dhe kontribuoi në kualifikimin historik të klubit në Ligën e Kampionëve, si edhe në arritjen deri në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.

Vojvoda mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës. Ai ka regjistruar 74 paraqitje dhe tre gola me fanellën e “Dardanëve”, ndërsa në disa raste ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Përpara se t'i bashkohej Kosovës, ai numëroi edhe 12 ndeshje me kombëtaren U-21 të Shqipërisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco