London City i qëndron pranë Asllanit, klubi i rinovon kontratën pavarësisht dëmtimit të rëndë

London City i qëndron pranë Asllanit, klubi i rinovon kontratën pavarësisht dëmtimit të rëndë

11:44, 14/07/2026

London City Lionesses ka bërë një gjest që po vlerësohet gjerësisht në botën e futbollit të femrave, duke rinovuar kontratën me Kosovare Asllanin pavarësisht dëmtimit të rëndë që ka pësuar sulmuesja suedeze me origjinëmnga Kosova.

Klubi londinez njoftoi zyrtarisht zgjatjen e marrëveshjes me Asllanin deri në verën e vitit 2027. Lojtarja, e cila është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi të rëndë, do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit të London City Lionesses, ku ka një rol shumë të rëndësishëm.

“Jemi të lumtur të konfirmojmë se Kosovare Asllani ka firmosur zgjatjen e kontratës deri në verën e vitit 2027. Asllani i ka dhënë shumë këtij klubi që nga dita e parë kur u bashkua me ne. Si kapitenja jonë, ajo na udhëhoqi drejt ngjitjes në kategori, bëri histori në WSL dhe është bërë një pjesë integrale e klubit tonë. Të gjithë te London City do të vazhdojnë ta mbështesin nga afër Kosse gjatë rikuperimit të saj”, thuhej në komunikatën zyrtare të klubit.

Asllani, ish-lojtare e Real Madridit, po rikuperohet aktualisht nga një dëmtim i ligamentit të kryqëzuar anterior, të pësuar në muajin mars, që pritet ta mbajë jashtë fushave për një pjesë të madhe të sezonit.

Sulmuesja suedeze shprehu emocionet e saj pas rinovimit dhe theksoi rëndësinë e projektit të klubit londinez.

“Dua që vajzat e reja suedeze të ëndërrojnë të luajnë për London City Lionesses. Dua që kjo stemë të përfaqësojë ambicie, mundësi dhe besimin se gjithçka është e mundur. Këtu po formohet e ardhmja e futbollit të femrave”, deklaroi Asllani.

Ky vendim i klubit vjen në një periudhë shumë aktive për London City Lionesses, që së fundmi ka siguruar edhe afrimet e yjeve si Alexia Putellas dhe Mapi León. Me këto lëvizje, klubi londinez po ndërton një skuadër ambicioze, ku Asllani pritet të mbetet një nga figurat kryesore.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco