Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, ka shprehur zhgënjimin e tij pas eliminimit të kombëtares nga Kupa e Botës 2026, duke kritikuar situatën e krijuar pas rikthimit të skuadrës në vend.
Pamjet nga kthimi i Brazilit shkaktuan reagime të shumta, pasi sipas raportimeve vetëm mbrojtësi Danilo u rikthye me avionin e kombëtares drejt Rio de Janeiros, ndërsa pjesa tjetër e grupit qëndroi jashtë vendit. Një situatë që bëri që Lula t’i kërkonte shpjegime trajnerit Carlo Ancelotti-t.
“I dërgova një mesazh Ancelottit, trajnerit të kombëtares braziliane. Ajo skuadër shkoi me shumë njerëz dhe u kthye pothuajse vetëm. Nuk kishte pothuajse askënd në avionin e kombëtares për t’u kthyer. Çfarë turpi. Vetëm një lojtar u kthye me avion, të tjerët qëndruan atje”, deklaroi Lula.
Presidenti brazilian i bëri këto komente gjatë një aktiviteti të tij zyrtar, duke i shoqëruar me nota ironie, por pa e fshehur kritikën ndaj situatës. Sipas tij, nëse Brazili do të kishte fituar Kupën e Botës, atmosfera do të ishte krejt tjetër.
“Nëse do ta kishim fituar Kupën, të gjithë do të ishin duke festuar këtu”, shtoi ai.
Lula madje i sugjeroi me humor Ancelotti-t të merrte në skuadër një “robot agresiv” që do ta ndihmonte Brazilin të ishte më aktiv në fushë.
“Një djalë krijoi një robot agresiv, dukej si Mbappé, dukej si Haaland. Roboti e godet topin lart. I thashë Ancelottit: nëse dëshiron ta marrësh, merre atë robot, sepse ai do ta ndihmojë Brazilin të fitojë Kupën e Botës”, u shpreh presidenti brazilian.
Eliminimi i Brazilit ka shkaktuar debat të madh në vend, ndërsa trajneri Carlo Ancelotti dhe lojtarët e kombëtares janë në qendër të kritikave për paraqitjen dhe reagimin pas largimit nga turneu.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: