FIFA i dha Argjentinës lejen që ia refuzoi Francës, ‘Albiceleste’ nderoi Rattin me shirita të zinj

FIFA i dha Argjentinës lejen që ia refuzoi Francës, ‘Albiceleste’ nderoi Rattin me shirita të zinj

11:39, 14/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

FIFA ka autorizuar Argjentinën që të mbajë shirita të zinj në krah në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës 2026 ndaj Zvicrës, një kërkesë e ngjashme që më herët ishte refuzuar për Francën gjatë turneut.

Kombëtarja argjentinase mori lejen speciale për të nderuar ish-futbollistin legjendar Antonio Ubaldo Rattin, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Rattin ishte një figurë simbolike e futbollit argjentinas dhe kapiten i kombëtares në Botërorët e viteve 1962 dhe 1966.

Federata Argjentinase e Futbollit kishte kërkuar që lojtarët dhe stafi teknik të përdornin shirita të zinj në krah pas ndarjes nga jeta të ish-kapitenit, kërkesë që FIFA e pranoi për sfidën ndaj Zvicrës, të fituar nga Argjentina me rezultatin 3-1 pas kohës shtesë.

Ky vendim solli reagime, pasi më herët FIFA kishte refuzuar një kërkesë të ngjashme nga Franca. Federata Franceze kishte kërkuar përdorimin e shiritave të zinj dhe një minutë heshtje në nderim të nënës së trajnerit Didier Deschamps, e cila ndërroi jetë gjatë zhvillimit të Botërorit.

Për shkak të rregullave të FIFA-s, kërkesa franceze nuk u miratua, pasi organizmi ndërkombëtar kishte planifikuar një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Venezuelë. Në vend të shiritave të zinj, ndihmësi i Deschamps, Guy Stephan, i cili drejtoi Francën në ndeshjen ndaj Norvegjisë, vendosi një tufë me lule në shenjë kujtimi për nënën e trajnerit francez.

Ndërkohë, Argjentina ka marrë edhe një tjetër miratim nga FIFA përpara gjysmëfinales kundër Anglisë. Skuadra e Lionel Scalonit do të ketë mundësinë të përdorë fanellën alternative blu të errët, në vend të fanellës tradicionale me vija bardheblu.

Për këtë arsye, Anglia do të zbresë në fushë me fanellën e bardhë në përballjen që vendos një nga finalistet e Kupës së Botës 2026.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco