Alarm maksimal për Argjentinë-Angli, policia ndan tifozët: Gjysmëfinalja konsiderohet më e rrezikshmja e Botërorit

Alarm maksimal për Argjentinë-Angli, policia ndan tifozët: Gjysmëfinalja konsiderohet më e rrezikshmja e Botërorit

08:39, 14/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Autoritetet e sigurisë kanë vendosur masa të jashtëzakonshme për gjysmëfinalen e Botërorit 2026 mes Argjentinës dhe Anglisë, e cila do të zhvillohet të mërkurën, në Atlanta. Sipas Ministrisë së Sigurisë së Argjentinës, kjo sfidë është klasifikuar si ndeshja me nivelin më të lartë të rrezikut në të gjithë turneun.

Vendimi u mor pas një sërë takimesh koordinuese të zhvilluara në Qendrën Ndërkombëtare të Bashkëpunimit Policor në Leesburg të Virxhinias, ku morën pjesë përfaqësues të FIFA-s, FBI-së, Policisë së Shtetit të Xhorxhias dhe Policisë Metropolitane të Mbretërisë së Bashkuar.

Image

Për të shmangur çdo incident, është vendosur që tifozët e dy kombëtareve të mos kenë kontakt me njëri-tjetrin. Hyrja në stadium do të bëhet nga porta të ndryshme: tifozët argjentinas do të përdorin Portën 4, ndërsa ata anglezë Portën 3. Gjithashtu, do të shtohet ndjeshëm numri i efektivëve të policisë dhe personelit privat të sigurisë brenda dhe jashtë stadiumit.

Masat e përforcuara nuk do të kufizohen vetëm në impiantin sportiv. Forca shtesë të rendit do të vendosen edhe në hotelet ku janë akomoduar dy kombëtaret, si dhe përgjatë itinerareve të transportit zyrtar të delegacioneve.

Sipas autoriteteve, objektivi kryesor është minimizimi i çdo kontakti mes grupeve më radikale të tifozëve, duke ruajtur një atmosferë të sigurt për familjet dhe spektatorët e tjerë.

"Ndeshja Argjentinë-Angli është cilësuar si ajo me rrezikun më të lartë të këtij Botërori. Për këtë arsye do të zbatohen masat më të avancuara të sigurisë të gjithë turneut, me kontrolle të shtuara në hyrje dhe një plan të paprecedentë të forcave të rendit, për të garantuar që gjithçka të zhvillohet në qetësi, rend dhe siguri", thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Sigurisë së Argjentinës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco