Lamine Yamal është shfaqur i qetë dhe plot besim në konferencën për shtypin përpara gjysmëfinales së Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Francës. Sulmuesi i ri spanjoll deklaroi se nuk ndien presion dhe është i bindur se sfida në Dallas do të jetë një moment i veçantë në karrierën e tij.
“Është ndeshja më e rëndësishme që kam luajtur deri tani. Jemi shumë të emocionuar dhe besoj se do të jetë një ditë e veçantë”, u shpreh 19-vjeçari.
I pyetur për kritikat se nuk ka qenë në nivelin e tij më të mirë gjatë turneut, Yamal u përgjigj me ironi: “Ju thoni se nuk jam në formën time më të mirë, ndaj nuk duhet të prisni asgjë nga unë. Unë nuk ndiej presion. Gjithmonë jap maksimumin për skuadrën dhe kur bën këtë, nuk ke pse të ndihesh nën presion.”
Sulmuesi pranoi se do të ishte speciale të shënonte në një ndeshje kaq të rëndësishme, por theksoi se prioritet mbetet suksesi i ekipit. “Golat nuk janë fiksimi im, por sigurisht që është gjithmonë e veçantë të shënosh në sfida të tilla. E pranoj sfidën.”
Yamal foli edhe për deklaratat e mëparshme se nuk ka frikë nga Franca. “Më pyetën nëse kisha frikë dhe u përgjigja jo. Futbolli është futboll dhe duhet ta trajtojmë si të tillë.”
Ylli i Barcelonës nuk e fshehu ambicien për të fituar trofeun më të madh. “E shohim veten kampionë bote, ashtu si Spanja në vitin 2010. Pse të mos e arrijmë edhe ne?”
Në fund, ai dha edhe një mesazh më të gjerë për futbollin: “Ka gjëra shumë më të vështira në jetë sesa një ndeshje futbolli. Pas përfundimit të saj, të gjithë do të vazhdojnë jetën e tyre. Futbolli duhet të shërbejë për të bashkuar njerëzit.”
© SYRI.net