Katër trajnerët gjysmëfinalistë të Kupës së Botës 2026: kush janë dhe prej sa kohësh drejtojnë kombëtaret e tyre

Katër trajnerët gjysmëfinalistë të Kupës së Botës 2026: kush janë dhe prej sa kohësh drejtojnë kombëtaret e tyre

10:26, 14/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjithçka është gati për fazën gjysmëfinale të Kupës së Botës 2026. Për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror do të luftojnë Franca, Spanja, Anglia dhe Argjentina, të drejtuara nga katër trajnerë me histori, mosha dhe eksperienca shumë të ndryshme.

Sonte, në orën 21:00, në stadiumin “AT&T”, në Arlington të Teksasit, Franca do të përballet me Spanjën, ndërsa nesër, në të njëjtën orë, në “Mercedes-Benz Stadium” të Atlantës do të zhvillohet supersfida Angli-Argjentinë. Por kush janë katër teknikët që synojnë kurorën e botës?

Didier Deschamps – Francë (57 vjeç)

Deschamps është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit francez. Si lojtar ai zhvilloi mbi 100 ndeshje me kombëtaren, ishte kapiten i Francës që fitoi Kupën e Botës në vitin 1998 dhe Kampionatin Europian në vitin 2000.

Ai ka luajtur edhe në Itali me Juventusin, ku ishte pjesë e skuadrës nga viti 1994 deri në 1999, ndërsa më pas u rikthye në Torino si trajner në sezonin 2006/07. Karrierën si trajner e nisi te Monaco në vitin 2001, përpara se të drejtonte Olympique Marseille.

Që nga 8 korriku 2012 është trajner i Francës dhe ka arritur rezultate historike: fitoi Botërorin 2018, luajti finalen e Europianit 2016 dhe përfundoi nënkampion bote në Katar 2022. Me këtë Botëror, “Les Bleus” janë për herë të tretë radhazi në gjysmëfinale.

Image

Luis de la Fuente – Spanjë (65 vjeç)

Ish-mbrojtës, De la Fuente e kaloi pjesën më të madhe të karrierës si futbollist në Spanjë, veçanërisht tek Athletic Bilbao, ndërsa luajti edhe për Sevilla-n.

Karriera e tij si trajner u zhvillua kryesisht në strukturat e kombëtareve të moshave të Spanjës. Ai fitoi Europianin U19 në vitin 2015, Lojërat Mesdhetare në 2018 me ekipin U18 dhe Europianin U21 në vitin 2019.

Pas një vendi të dytë në Lojërat Olimpike të Tokios, ai mori drejtimin e kombëtares së madhe. De la Fuente është trajner i Spanjës që prej 8 dhjetorit 2022 dhe ka fituar Ligën e Kombeve 2022/23 si dhe Europianin 2024 në Gjermani.

Image

Thomas Tuchel – Angli (52 vjeç)

Tuchel është trajneri i tretë i huaj në historinë e Anglisë pas Sven-Goran Eriksson-it dhe Fabio Capello-s. Gjermani mbërriti te “Tre Luanët” pas një karriere të suksesshme në klube.

Ai nisi punën si trajner që në moshën 27-vjeçare te akademia e Stuttgartit. Më pas drejtoi Mainz-in, të cilin e çoi deri në vendin e shtatë në Bundesligë, ndërsa suksesin e parë të madh e arriti me Borussia Dortmundin duke fituar Kupën e Gjermanisë në vitin 2017.

Në karrierën e tij ka fituar trofe me Paris Saint-Germain, Bayern Munich dhe Chelsea. Me klubin londinez triumfoi në Champions League, Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube.

Federata angleze e emëroi trajner më 1 janar 2025, pas dy finaleve të humbura radhazi në Europian.

Image

Lionel Scaloni – Argjentinë (48 vjeç)

Scaloni, ish-mbrojtës që e zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës në Spanjë dhe më pas luajti për Lazio dhe Atalantën në Itali, nisi punën si trajner si ndihmës i Jorge Sampaolit te Sevilla.

Ai e shoqëroi Sampaolin edhe në kombëtaren argjentinase, por pas largimit të këtij të fundit në vitin 2018 mori drejtimin e përkohshëm të “Albicelestes”. Pas rezultateve pozitive u konfirmua në detyrë dhe shkroi historinë.

Nën drejtimin e tij, Argjentina ka fituar dy Copa America, Kupën e Botës në Katar dhe Finalissima-n ndaj Italisë në Wembley, në vitin 2022. Scaloni është trajner i Argjentinës që prej 3 gushtit 2018 dhe tashmë kërkon një tjetër triumf botëror.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco