Barcelona ka siguruar një hua emergjente prej 210 milionë eurosh për të përballuar nevojat financiare të merkatos dhe për të shmangur problemet me regjistrimin e lojtarëve të rinj.
Sipas të përditshmes spanjolle Sport, financimi është garantuar nga të ardhurat e ardhshme të të drejtave televizive dhe synon t'i japë klubit likuiditet të menjëhershëm në një periudhë vendimtare të merkatos.
Kjo manovër financiare, e quajtur "Senior Media Notes", është bërë e domosdoshme për t'i kaluar kufizimet e rrepta të Fair Play Financiar të La Liga-s, si edhe për të kompensuar vonesat në rikonstruksionin e stadiumit Spotify Camp Nou, të cilat kanë shtyrë të ardhurat komerciale që klubi katalanas kishte parashikuar të arkëtonte.
Sipas raportimit, fondet e reja nuk përfshijnë investimin e bërë më herët për transferimin e Anthony Gordon. Shuma prej 210 milionë eurosh do të përdoret tërësisht për të përforcuar skuadrën e trajnerit Hansi Flick, me fokus të veçantë në repartin ofensiv.
Drejtuesit e Barcelonës synojnë gjithashtu të mbyllin negociatat që ndodhen në fazë të avancuar për transferimin e Karim Adeyemit dhe rikthimin e João Cancelos.
Pavarësisht vështirësive financiare që kanë shoqëruar klubin në vitet e fundit, Barcelona vazhdon të kërkojë zgjidhje ekonomike për të mbetur konkurruese në merkato dhe për të ndërtuar një skuadër sa më të fortë për sezonin e ri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: