Romario shpërthen ndaj Ancelotti-t: Do ta çoja në gjyq, nuk mund të mbetet trajner i Brazilit

Romario shpërthen ndaj Ancelotti-t: Do ta çoja në gjyq, nuk mund të mbetet trajner i Brazilit

16:39, 09/07/2026

Legjenda e futbollit brazilian, Romario, ka sulmuar ashpër Carlo Ancelotti-n pas eliminimit të Brazilit nga Norvegjia në Kupën e Botës 2026, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të teknikut italian nga stoli i “Seleçaos”.

Ish-sulmuesi, kampion bote me Brazilin në vitin 1994 dhe autor i 55 golave në 70 ndeshje me kombëtaren, nuk i kurseu kritikat. “Ancelotti nuk mund të vazhdojë si trajner i Brazilit. Po të isha në Federatë, do të kisha hyrë në dhomat e zhveshjes, do ta kisha përzënë menjëherë dhe do t’ia kisha grisur kontratën. Ndeshja me Norvegjinë ishte një turp. Madje do ta çoja edhe në gjyq. Pastaj le të shohim çfarë ndodh, por ai nuk mund të qëndrojë”, deklaroi Romario.

Ai kritikoi edhe zgjedhjet taktike të trajnerit italian, duke vënë në pikëpyetje vendimin për të zëvendësuar Bruno Guimaraes dhe për të aktivizuar Ederson në krah.

“Nuk e kuptova fare çfarë donte të bënte në fushë. Heq Bruno Guimaraes dhe vendos Ederson në krah? Kjo ndodh sepse nuk ke grumbulluar mbrojtës krahu. Dëmtohet një anësor dhe ti thërret një qendërmbrojtës. E kuptoj që nuk ka shumë alternativa, por me siguri ka lojtarë më të mirë se Ederson për atë rol”, u shpreh ai.

Në fund, Romario kujtoi se Federata Braziliane nuk ka treguar kurrë mëshirë ndaj trajnerëve që kanë dështuar në të kaluarën dhe kërkoi që i njëjti standard të zbatohet edhe për Ancelotti-n.

“Kemi pasur Dungën, humbi dhe u largua. Felipe Scolari fitoi Kupën e Botës dhe qëndroi. Tite humbi, mbeti në detyrë dhe humbi sërish. Tani kemi këtë Ancelotti-n, që humbi dhe do të vazhdojë të humbasë. Ka bërë shumë gabime në këtë Botëror dhe ju, gazetarët, nuk thoni asgjë. Po të ishte një trajner brazilian, do ta kishit shkatërruar me kritika. Por, duke qenë i huaj, askush nuk flet”, përfundoi Romario.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco