Drita ka siguruar një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, duke barazuar 1-1 në transfertë ndaj Kauno Zalgiris në Lituani.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani u gjend në disavantazh në pjesën e parë, por reagoi në fraksionin e dytë dhe arriti të shmangte humbjen falë golit të sulmuesit Blerim Krasniqit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ndërsa vendasit arritën të kalonin në avantazh në minutën e 24-t. Pas një goditjeje nga këndi, topi u devijua në zonën e rreptësisë nga Rokas Lekiatas, ndërsa Amine Benchaib përfitoi nga situata dhe dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Kauno Zalgirisin në epërsinë 1-0.
Drita kërkoi reagimin, por gjatë pjesës së parë nuk arriti të krijojë raste të pastra për të barazuar rezultatin. Kështu, 45 minutat e para u mbyllën me avantazhin minimal të skuadrës lituaneze.
Në pjesën e dytë, kampionët e Kosovës u shfaqën më agresivë dhe shtuan presionin në kërkim të golit të barazimit. Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 82-të, kur Raddy Ovouka dha një krosim të saktë në zonë dhe Blerim Krasniqi u ngrit mbi mbrojtësit kundërshtarë për të goditur me kokë dhe për të vendosur baraspeshën.
Goli i sulmuesit të Dritës siguroi një barazim shumë të rëndësishëm para sfidës së kthimit. Gjithçka do të vendoset pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Drita do të kërkojë kualifikimin para tifozëve të saj.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: