Tonali i jep lamtumirën Newcastle-it: Këtu lindi djali im, ky qytet më dhuroi një shtëpi

Tonali i jep lamtumirën Newcastle-it: Këtu lindi djali im, ky qytet më dhuroi një shtëpi

16:46, 06/07/2026

Sandro Tonali i ka dhënë fund zyrtarisht aventurës së tij te Newcastle, pasi u transferua te Tottenhami në një marrëveshje me vlerë 116 milionë euro. Mesfushori i kombëtares italiane largohet nga “St James' Park” pas tri sezonesh, duke lënë pas një mesazh prekës për klubin, bashkëlojtarët dhe tifozët.

Përmes rrjeteve sociale, ish-mesfushori i Milanit kujtoi ditën kur mbërriti në veri të Anglisë, duke pranuar se nuk e dinte se çfarë e priste.

“Tri vite më parë erdha në Newcastle pa e ditur mirë se çfarë të prisja. Sot ka ardhur momenti i lamtumirës dhe është e vështirë të gjej fjalët e duhura”, shkroi Tonali.

Futbollisti italian falënderoi klubin, stafin teknik dhe shokët e skuadrës, ndërsa një falënderim të veçantë ia kushtoi trajnerit Eddie Howe, të cilin e cilësoi një udhërrëfyes që e mbështeti gjatë gjithë rrugëtimit të tij.

Megjithatë, fjalët më emocionuese i rezervoi për tifozët e Newcastle-it.

“Kur kalova momente të vështira, ju ishit gjithmonë pranë meje. Nuk u ndjeva kurrë vetëm, as edhe për një ditë. E kam ndier mbështetjen tuaj sa herë që zbrita në fushën e ‘St James' Park’ dhe do ta mbaj me vete gjatë gjithë jetës”, u shpreh ai.

Tonali kujtoi edhe triumfin në Kupën e Ligës, trofe që i dha fund pritjes shumëvjeçare të klubit për një sukses të madh.

“Së bashku arritëm diçka që ky qytet e kishte pritur për një kohë shumë të gjatë. Ajo ditë në ‘Wembley’ ishte e veçantë. Për tifozët që nuk pushuan kurrë së besuari, ai trofe ishte për ju.”

Në fund, italiani ndau edhe një mesazh shumë personal, duke treguar se Newcastle- do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij.

“Futbolli më solli në Newcastle. Sot po largohem bashkë me bashkëshorten dhe djalin tonë, i cili lindi pikërisht këtu. Ky qytet më ka dhënë shumë më tepër sesa futbollin: më dhuroi një shtëpi, kujtime të paharrueshme dhe njerëz të cilëve do t’u jem gjithmonë mirënjohës. Faleminderit për gjithçka”, përfundoi Tonali.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco