Barcelona ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Andreas Christensen. Mbrojtësi danez, të cilit kontrata i skadonte më 30 qershor, ka firmosur një marrëveshje të re dyvjeçare, duke siguruar qëndrimin e tij në klubin katalanas.
Marrëveshja ishte arritur prej javësh, ndërsa klubi e bëri zyrtare këtë të mërkurë. Christensen, 30 vjeç, pranoi ofertën e Barcelonës, e cila parashikon një pagë më të ulët se ajo që përfitonte deri tani, pasi dëshira e tij ishte të vazhdonte të ishte pjesë e projektit ambicioz të trajnerit Hansi Flick.
Mbrojtësi danez iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2022 si lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës me Chelsea-n, dhe deri tani ka zhvilluar 98 ndeshje me fanellën ‘blaugrana’, duke shënuar pesë gola dhe dhënë tri asistime.
Kontrata e re është e vlefshme deri në verën e vitit 2028, por përfshin një klauzolë që u jep mundësi si klubit ashtu edhe lojtarit ta ndërpresin marrëveshjen në qershor të vitit 2027. Gjithashtu, ajo përmban bonuse të ndryshme, veçanërisht të lidhura me numrin e ndeshjeve të zhvilluara, të cilat mund t'i rrisin ndjeshëm të ardhurat e futbollistit.
Sezonet e fundit Christensen është përballur me probleme të shumta fizike, që kanë ndikuar në vazhdimësinë e tij. Ai u rikthye në fushë vetëm në javën e fundit të La Ligës ndaj Valencias, pas 158 ditësh mungesë për shkak të një këputjeje të pjesshme të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e majtë.
Pavarësisht rinovimit, danezi pritet të përballet me konkurrencë të fortë për një vend në formacion. Dyshja Pau Cubarsí dhe Gerard Martín konsiderohen titullarë në qendër të mbrojtjes nga Hansi Flick, ndërsa Ronald Araujo dhe Eric García janë gjithashtu alternativa të rëndësishme.
Megjithatë, Christensen ndihet i lumtur te Barcelona dhe shpreson që dëmtimet ta lënë rehat, në mënyrë që të fitojë më shumë hapësira dhe rol më të madh gjatë sezonit të ardhshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: