Lajmi i fundit

LIVE- TASK FORCE/ ‘Albanian Files’, dosje akuze për Edi Ramën

FSHF zhvillon takim informues me klubet e Kategorisë së Parë për procesin e licencimit të sezonit 2026-2027

FSHF zhvillon takim informues me klubet e Kategorisë së Parë për procesin e licencimit të sezonit 2026-2027

16:59, 29/06/2026

Federata e Futbollit zhvilloi një mbledhje informuese me klubet pjesëmarrëse në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë, në kuadër të procesit të licencimit për sezonin sportiv 2026-2027.

Takimi, i organizuar në ambientet e FSHF-së, kishte si qëllim prezantimin e procedurave të licencimit, sqarimin e kritereve që duhet të përmbushin klubet, si dhe koordinimin e hapave që do të ndiqen gjatë këtij procesi.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësuesit e KF Korabi, KF Kastrioti, KF Iliria, KF Oriku, KF Sopoti, KF Kukësi, KS Burreli, KF Besa dhe KF Besëlidhja.

Takimi u drejtua nga Menaxheri i Licencimit në FSHF, Eduard Gjini, i cili prezantoi në mënyrë të detajuar procesin e licencimit dhe rëndësinë e tij për zhvillimin e qëndrueshëm të klubeve dhe rritjen e standardeve të futbollit shqiptar.

Gjatë prezantimit u theksua se licencimi përbën një mekanizëm të rëndësishëm për përmirësimin e standardeve organizative, sportive, infrastrukturore, administrative, ligjore dhe financiare të klubeve, në përputhje me kërkesat e UEFA-s.

Përfaqësuesit e FSHF-së prezantuan kriteret kryesore të licencimit, duke u ndalur te aspektet sportive, infrastrukturore, administrative, ligjore dhe financiare.

Në fokus ishte rëndësia e organizimit të strukturave sportive të klubeve, zhvillimi i ekipeve të moshave, garantimi i kushteve infrastrukturore për zhvillimin e ndeshjeve, funksionimi i strukturave administrative dhe mjekësore, si dhe respektimi i kërkesave ligjore dhe financiare të përcaktuara në rregulloren e licencimit.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua edhe përdorimit të platformës SharePoint, e cila do të shërbejë për ngarkimin dhe administrimin e dokumentacionit të licencimit. Përfaqësuesit e klubeve u trajnuan mbi përdorimin e platformës dhe procedurat për dorëzimin e dokumenteve, me qëllim standardizimin dhe rritjen e efikasitetit të procesit.

Gjithashtu, klubet u informuan mbi rëndësinë e përditësimit të të dhënave dhe dokumentacionit në sistemin COMET, i cili mbetet një element kyç për administrimin dhe monitorimin e procesit të licencimit.

FSHF kërkoi nga klubet të tregojnë vëmendje të veçantë ndaj përditësimit të profileve të tyre, saktësimit të strukturave përgjegjëse dhe respektimit të afateve të përcaktuara.

Gjatë mbledhjes u përcoll mesazhi se procesi i licencimit duhet të trajtohet si një prioritet institucional nga çdo klub, ndërsa përmbushja e kritereve kërkon planifikim, koordinim dhe angazhim të vazhdueshëm.

Po ashtu, u nënvizua se FSHF do të vijojë të asistojë klubet gjatë gjithë procesit, ndërsa përgjegjësia për përmbushjen e kritereve mbetet te secili klub aplikues.

Takimi shërbeu si hapi i parë koordinues mes FSHF-së dhe klubeve të Kategorisë së Parë për sezonin 2026-2027, duke krijuar bazat për një proces licencimi sa më transparent, efikas dhe në përputhje me standardet e kërkuara.

Në vijim, Administrata e Licencimit do të vazhdojë komunikimin me klubet për dokumentacionin, afatet dhe kërkesat përkatëse, ndërsa do të organizohen edhe takime të tjera sipas nevojave të secilit klub.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco