Zyrtare/ Enzo Maresca rikthehet te Manchester City, pason Pep Guardiolën në stolin e ‘Qytetarëve’

Zyrtare/ Enzo Maresca rikthehet te Manchester City, pason Pep Guardiolën në stolin e ‘Qytetarëve’

15:39, 29/06/2026

Manchester City ka zyrtarizuar emërimin e Enzo Maresca-s si trajnerin e ri të skuadrës. Strategu italian ka nënshkruar një kontratë trevjeçare dhe do të pasojë Pep Guardiolën, duke hapur një epokë të re në "Etihad Stadium".

Për të siguruar shërbimet e 46-vjeçarit, Manchester City do t'i paguajë Chelsea-t më shumë se 17 milionë paundë dëmshpërblim. Maresca rikthehet kështu për herë të tretë në klubin anglez, pasi më parë ka drejtuar ekipin e të rinjve dhe ka qenë ndihmës i Guardiolës gjatë sezonit historik, kur City fitoi ‘tripletën’.

"Manchester City është një klub që e njoh shumë mirë dhe mundësia për ta drejtuar këtë skuadër është fantastike. Ky është një klub i organizuar në mënyrë të jashtëzakonshme, ku gjithçka planifikohet me kujdes. Nuk mund të pres të filloj punën me lojtarët. Dua të fitojmë, të luajmë futboll të bukur dhe të shijojmë presionin që sjell përfaqësimi i Manchester City-t", deklaroi Maresca pas firmosjes.

Italiani largohet nga Chelsea, ku një sezon më herët fitoi Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube, ndërsa e kualifikoi skuadrën edhe në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, marrëdhëniet me drejtuesit e klubit u përkeqësuan dhe bashkëpunimi përfundoi në fillim të vitit 2026.

Nga ana tjetër, Chelsea publikoi një deklaratë të ashpër, duke pretenduar se Maresca kishte shfaqur dëshirën për të marrë drejtimin e Manchester City-t që gjatë vjeshtës së kaluar, gjë që sipas klubit ndikoi negativisht në ecurinë e skuadrës. Blutë e Londrës konfirmuan gjithashtu se është arritur një marrëveshje konfidenciale me Manchester City-n për dëmshpërblimin, ndërsa edhe vetë trajneri ka pranuar të paguajë kompensim sipas marrëveshjes së ndarjes.

Pas një dekade të mbushur me suksese nën drejtimin e Pep Guardiolës, Manchester City ia beson tani projektin Enzo Maresca-s, me shpresën se italiani do të vazhdojë traditën fituese dhe do ta mbajë klubin në elitën e futbollit anglez dhe evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco