Elliot Anderson është vetëm një hap larg transferimit te Manchester City, në atë që pritet të jetë blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit anglez. Mesfushori anglez ka përfunduar me sukses vizitat mjekësore në Kansas City dhe tashmë mungon vetëm zyrtarizimi i kalimit të tij nga Nottingham Forest.
Sipas raportimeve, Manchester City do të paguajë 116 milionë paundë për kartonin e 23-vjeçarit, një shifër që tejkalon 100 milionë paundët e paguara për Jack Grealish në vitin 2021, duke vendosur një rekord të ri në historinë e "Qytetarëve".
Marrëveshja pritet të zyrtarizohet përpara ndeshjes së Anglisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos në fazën e 1/16-ave të Botërorit 2026. Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, kishte kërkuar që transferimi të përfundonte vetëm pas mbylljes së fazës së grupeve, në mënyrë që lojtari të mos shpërqendrohej gjatë angazhimeve me kombëtaren.
Sipas "The Telegraph", Anderson do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Ai pritet të përfitojë një pagë prej rreth 300 mijë paundësh në javë, përfshirë bonuset, ndërsa marrëveshja personale mes palëve ishte arritur prej kohësh.
Transferimi i Andersonit konsiderohet si lëvizja e parë e madhe e revolucionit veror të nisur nga trajneri i ri Enzo Maresca. Manchester City synon të përforcohet edhe në repartin e mesfushës, në krahë dhe në sulm, ndërsa Anderson vlerësohet si një nga mesfushorët më të kompletuar të Premier League, falë aftësisë për të çarë linjat kundërshtare me topin, intensitetit në presing dhe cilësisë në organizimin e lojës.
Tashmë gjithçka duket vetëm çështje kohe, ndërsa Manchester City përgatitet të prezantojë futbollistin më të kushtueshëm në historinë e klubit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: