Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, ka vendosur të nisë një aventurë të re në karrierën e tij, duke u larguar nga Hoffenheimi dhe duke firmosur me Borussia Dortmundin.
Sipas raportimeve të gazetarit Arlind Sadiku, futbollisti kosovar ka nënshkruar kontratën me klubin e njohur gjerman gjatë ditës së sotme. Edhe pse marrëveshja është arritur dhe dokumentet janë firmosur, njoftimi zyrtar nga Dortmundi pritet të bëhet në ditët e ardhshme.
Ky transferim përbën një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e Asllanit, i cili konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit kosovar. Pas paraqitjeve pozitive në futbollin gjerman, ai ka tërhequr vëmendjen e një prej klubeve më të mëdha të Bundesligës.
Dortmundi njihet për zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe për mundësitë që u jep talenteve për t’u afirmuar në skenën ndërkombëtare. Për këtë arsye, transferimi i Asllanit shihet si një mundësi e shkëlqyer për sulmuesin që të vazhdojë rritjen e tij sportive në një nivel më të lartë.
Tifozët e Kosovës do të presin me interes zyrtarizimin e marrëveshjes, ndërsa Asllani do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij me fanellën e një prej klubeve më prestigjioze të Gjermanisë dhe Evropës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: