Mbështetësit e Holandës kanë dhuruar edhe një tjetër spektakël në Kupën e Botës 2026, duke mbushur rrugët e Kansas City-t me ngjyrën portokalli përpara ndeshjes së fundit të fazës së grupeve ndaj Tunizisë.
Mijëra tifozë të njohur si “Oranje Army” u mblodhën në qendër të qytetit, duke krijuar një atmosferë mbresëlënëse që tërhoqi vëmendjen e banorëve dhe vizitorëve. Pamjet ajrore të publikuara nga llogaria zyrtare e tifozëve holandezë, “Ons Oranje”, tregojnë sheshe dhe rrugë të tëra të mbuluara nga një ‘det portokalli’.
Në krye të marshimit ndodhej autobusi i famshëm “Oranje Bus”, një simbol i tifozërisë holandeze që prej vitesh shoqëron kombëtaren në turnetë më të rëndësishëm ndërkombëtarë. ‘Lumi’ i tifozëve u nis nga zona e njohur Power & Light District dhe vazhdoi drejt stadiumit Arrowhead, ku Holanda do të zhvillojë ndeshjen ndaj Tunizisë.
ARE YOU READY KANSAS CITY?! 🤯#NothingLikeOranje #FIFAWorldCup pic.twitter.com/FLJ66JEFgp
— OnsOranje (@OnsOranje) June 25, 2026
Atmosfera festive u karakterizua nga këngë, flamuj dhe kore të pandërprera, duke treguar edhe një herë kulturën e veçantë të tifozëve holandezë, të cilët konsiderohen ndër më të zjarrtit në futbollin botëror.
Holanda vjen në këtë përballje me katër pikë të grumbulluara në dy ndeshjet e para dhe me objektivin për të siguruar vendin e parë në grup. Mbështetja masive nga tribunat pritet të jetë një tjetër armë e rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga Ronald Koeman.

© SYRI.net