Sulmuesi i Bayer Leverkusenit, Patrik Schick, ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja e Çekisë në moshën 30-vjeçare, duke mbyllur një kapitull dhjetëvjeçar me fanellën e përfaqësueses.
Lajmin e bëri të ditur vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpjegoi se vendimi nuk ishte i nxituar, por rezultat i një reflektimi të gjatë.
“Sot përfundon kapitulli im me kombëtaren. Ky vendim nuk është impulsiv dhe nuk ka ardhur brenda natës. Është një ide që e kam kultivuar prej kohësh dhe për të cilën kam menduar gjatë”, shkroi Schick.
Sulmuesi falënderoi tifozët, bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij me Çekinë, duke theksuar se ka qenë një nder i madh të përfaqësojë vendin e tij.
Në deklaratën e tij, Schick nuk ngurroi të fliste edhe për gjendjen e futbollit çek, duke theksuar se vendi ka potencial shumë më të madh sesa rezultatet e viteve të fundit. Sipas tij, disa gjëra duhet të ndryshojnë në mënyrë që kombëtarja të rikthehet në nivelet më të larta.
Patrik Schick largohet nga kombëtarja pas 56 ndeshjeve dhe 26 golave. Debutimin e bëri në maj të vitit 2016 në një miqësore ndaj Maltës, ku realizoi edhe golin e tij të parë me fanellën çeke.
Një nga momentet më të spikatura të karrierës së tij ndërkombëtare ishte Euro 2020, ku përfundoi si golashënuesi më i mirë i turneut. Ai mori pjesë gjithashtu në Euro 2024 dhe në Kupën e Botës 2026, e cila u mbyll me zhgënjim për Çekinë.
Tashmë Schick do të fokusohet plotësisht te Bayer Leverkuseni, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2030.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: