Kaos para startit të Botërorit 2026, stuhitë kërcënojnë ndeshjen hapëse në ‘Azteca’

Kaos para startit të Botërorit 2026, stuhitë kërcënojnë ndeshjen hapëse në ‘Azteca’

13:26, 10/06/2026

Botërori 2026 mund të nisë mes kaosit atmosferik, pasi kushtet e motit në qytetin e Meksikos po shqetësojnë organizatorët vetëm pak orë para ndeshjes hapëse të turneut.

Stadiumi legjendar “Azteca”, ku do të zhvillohet përballja mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, është në qendër të vëmendjes jo vetëm për futbollin, por edhe për parashikimet alarmante të motit.

Sipas meteorologëve, gjatë orarit të ndeshjes priten reshje të dendura shiu, stuhi me rrufe, breshër dhe erëra të forta. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar banorët e kryeqytetit meksikan që të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Situata është bërë edhe më shqetësuese pas formimit të stuhisë tropikale Boris në brigjet e Paqësorit Jugor të Meksikës.

Ende nuk dihet se sa do të ndikojë ajo në qytetin e Meksikos, por frika për përkeqësimin e motit është në rritje.

Sipas protokolleve të sigurisë në fuqi në Amerikën e Veriut, nëse regjistrohen rrufe brenda një rrezeje prej rreth 13 kilometrash nga stadiumi, ndeshja duhet të ndërpritet menjëherë. Futbollistët do të kthehen në dhomat e zhveshjes, ndërsa tifozët do të udhëzohen të strehohen në zona të sigurta.

Në këto raste zbatohet rregulli i 30 minutave. Loja mund të rifillojë vetëm 30 minuta pas goditjes së fundit të rrufesë, ndërsa çdo rrufe e re e rikthen numërimin nga fillimi.

Kjo do të thotë se ndeshja hapëse mund të zgjasë për orë të tëra për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme.

Meteorologët paralajmërojnë se ky mund të jetë vetëm fillimi i problemeve, pasi gjatë gjithë Botërorit priten temperatura ekstreme, stuhi të forta dhe fenomene të tjera atmosferike në disa prej vendeve organizatore.

Një gjë është e sigurt: Botërori 2026 premton të jetë ndryshe nga çdo edicion tjetër i zhvilluar më parë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco