Cristiano Ronaldo u bë objekt i një shakaje në rrjetet sociale nga kompania ajrore Ryanair, pas paraqitjes së tij në miqësoren që Portugalia fitoi 2-1 ndaj Nigerisë në kuadër të përgatitjeve për Botërorin 2026.
Kapiteni i Portugalisë nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës në sfidën e zhvilluar në Leiria, pavarësisht se pati disa raste për shënim. Sulmuesi 41-vjeçar humbi edhe një mundësi të mirë përballë portierit nigerian dhe e mbylli ndeshjen pa gol, ashtu siç kishte ndodhur edhe në miqësoren e mëparshme ndaj Kilit.
Në fitoren e Portugalisë, golat u realizuan nga Pedro Neto dhe Francisco Conceição, ndërsa Ronaldo luajti 65 minuta, më shumë se çdo lojtar tjetër i repartit ofensiv.
Një ditë pas ndeshjes, Ryanair publikoi në rrjetet sociale një reagim ironik ndaj yllit portugez. Kompania ndau një postim të Ronaldos, ku ai kishte shkruar “hap pas hapi” dhe kishte publikuar fotografi nga stërvitja.
Më pas erdhi edhe komenti që tërhoqi vëmendjen e ndjekësve: “He needs to pass more often” (“Ai duhet të pasojë më shpesh”), një lojë fjalësh që nënkuptonte se Ronaldo duhet të shpërndajë më shumë topin te shokët e skuadrës.
Ryanair është bërë i njohur vitet e fundit për publikimet provokuese dhe humoristike në rrjetet sociale, duke mos kursyer as figura të mëdha të sportit. Këtë herë në qendër të vëmendjes ishte pikërisht Cristiano Ronaldo, i cili po përgatitet për atë që mund të jetë Botërori i fundit i karrierës së tij.
he needs to passo more often https://t.co/6OJ5xbxVCD
— Ryanair (@Ryanair) June 11, 2026
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: