Arsenali ka bërë një lëvizje konkrete në merkato për talentin e Juventusit, Kenan Yildiz, por ka hasur menjëherë në rezistencën e klubit italian.
Sipas raportimeve të “The Athletic” dhe gazetarit Fabrizio Romano, trajneri Mikel Arteta e sheh sulmuesin turk si përforcimin ideal për krahun e majtë të repartit ofensiv.
Megjithatë, përgjigjja e Juventusit ka qenë e prerë. Drejtuesit bardhezi kanë refuzuar çdo mundësi negociatash, duke e konsideruar 21-vjeçarin një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit të tyre për të ardhmen.
Sipas burimeve pranë klubit torinez, Yildiz nuk është në shitje dhe as oferta që mund të arrijnë vlerën e 80-100 milionë eurove nuk pritet të ndryshojnë qëndrimin e Juventusit.
Sulmuesi turk rinovoi kontratën e tij në shkurt të vitit 2026 dhe është i lidhur me klubin deri në verën e vitit 2030.
Forma e tij e shkëlqyer gjatë sezonit të fundit ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane.
Yildiz realizoi 11 gola dhe dhuroi 10 asistime në 47 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke treguar cilësi si sulmues i dytë dhe si anësor i majtë.
Pas fitimit të titullit në Premier Ligë, Arsenali po kërkon të forcojë repartin ofensiv, veçanërisht në krahun e majtë, ku e ardhmja e disa lojtarëve mbetet e paqartë.
Madje, mediet britanike raportojnë se londinezët kishin menduar të përfshinin në marrëveshje emra si Leandro Trossard ose Gabriel Jesus, së bashku me një shumë të konsiderueshme financiare.
Megjithatë, Juventusi ka mbyllur derën për çdo ofertë dhe e konsideron Yildizin një pjesë kyçe të skuadrës.
Pas këtij refuzimi kategorik, Arsenali pritet të orientohet drejt objektivave të tjerë për të përforcuar sulmin gjatë merkatos së verës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: