Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, është shprehur optimist për të ardhmen e mesfushorit kroat Luka Modrić, kontrata e të cilit me kuqezinjtë skadon më 30 qershor, por përfshin edhe një opsion rinovimi deri në vitin 2027.
Në një intervistë të gjatë për DAZN, Tare preku disa tema, ndërsa u ndal veçanërisht te situata e Modriç-it. Sipas tij, vendimi për të ardhmen mund të bazohet më shumë në ndjenjë sesa në faktorë të tjerë.
“E ardhmja e Modriçit? Mendoj se ai mund të zgjedhë me zemër. Sipas mendimit tim, ai do të qëndrojë ende te Milani”, deklaroi Tare.
Drejtori sportiv zbuloi gjithashtu disa detaje interesante nga momenti i transferimit të kroatit në Milano, duke theksuar lidhjen emocionale të lojtarit me klubin. “Kur u takuam në Kroaci, e dija që Luka kishte qenë tifoz i Milanit që në fëmijëri. Ai kishte edhe oferta të tjera, por dëshironte të realizonte ëndrrën e tij”, shtoi Tare.
Sipas tij, ardhja e Modriçit nuk ka pasur rëndësi vetëm në aspektin teknik, por edhe në ndërtimin e mentalitetit të skuadrës. “Prania e tij ka qenë shumë e rëndësishme për ne, sidomos në nivel mentaliteti”, përfundoi drejtori kuqezi.
Deklaratat e Tares rrisin besimin se një nga figurat më me përvojë të ekipit mund të vazhdojë aventurën me Milanin, duke mbetur një pikë referimi në mesfushën e skuadrës së drejtuar nga Massimiliano Allegri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: