Katër ndeshje në 12 ditë dhe vetëm 14 lojtarë në dispozicion, Flick: Përgjegjësia ime!

Katër ndeshje në 12 ditë dhe vetëm 14 lojtarë në dispozicion, Flick: Përgjegjësia ime!

16:20, 06/03/2026

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur për momentin që po kalon skuadra e tij në prag të përballjes së radhës në La Liga kundër Athletic Bilbao-s. Tekniku gjerman theksoi se katalanasit po përballen me një kalendar shumë të ngjeshur dhe me një numër të kufizuar lojtarësh në dispozicion.

Barcelona do të zhvillojë katër ndeshje brenda vetëm 12 ditëve, ndërsa Flick ka në dispozicion vetëm 14 futbollistë të ekipit të parë. Megjithatë, ai shprehu besim te skuadra dhe te atmosfera që mbizotëron brenda grupit.

“Athletic është një ekip fantastik dhe një nga më të mirët në kampionat. Luajmë në fushën e tyre dhe e dimë se në shtëpi janë edhe më të fortë. Edhe ne jemi në një moment të mirë, atmosfera është shumë pozitive dhe intensiteti në stërvitje është i lartë”, deklaroi Flick.

Trajneri i Barcelonës pranoi se situata me numrin e kufizuar të lojtarëve është pasojë e kalendarit të ngarkuar, por shtoi se akademia e klubit mbetet një burim i rëndësishëm alternativash. “Kur luan kaq shpesh është normale të përballesh me vështirësi. Duhet të menaxhojmë minutat e lojtarëve, por kemi edhe futbollistë shumë cilësorë nga La Masia. Ata kanë dhënë përgjigje të mira në të kaluarën dhe edhe këtë herë mund të kenë mundësi të tregojnë vlerat e tyre”.

Flick foli edhe për të ardhmen e Robert Lewandowski-t, për të cilin u shpreh i kënaqur: “Kemi ende disa javë për të marrë një vendim. Ai është një lojtar fantastik dhe zakonisht shënon mes 20 dhe 30 gola në sezon”.

Sa u përket dëmtimeve, tekniku gjerman mori përgjegjësinë mbi vete: “Nuk jam i kënaqur me situatën, por përgjegjësia është imja. Gavi do të udhëtojë me skuadrën, ndërsa Pedri është rikuperuar, por do ta menaxhojmë me kujdes”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco