‘Ylli’ argjentinas, Lionel Messi, ka bërë një rrëfim të sinqertë për një nga pengjet më të mëdha të jetës së tij personale, pavarësisht karrierës së jashtëzakonshme të mbushur me trofe individualë dhe kolektivë. Në një intervistë në podcastin “Miro de Atrás”, kampioni i botës pranoi se i vjen keq që nuk ka mësuar gjuhën angleze në moshë të re.
Sulmuesi i Inter Miamit foli hapur për formimin e tij akademik, duke treguar se ka studiuar vetëm deri në shkollën e mesme, përpara se t’ia kushtonte të gjithë jetën futbollit profesionist. Ai e nisi rrugëtimin te Newell's Old Boys, ndërsa më pas kaloi te Barcelona, ku u shndërrua në një nga futbollistët më të mëdhenj në histori.
“Në vitin tim të fundit në Argjentinë, duke e ditur se do të largohesha, nuk bëra asgjë në shkollë. Pendohem për shumë gjëra dhe këtë ua them edhe fëmijëve të mi. Është e rëndësishme të kesh një arsim të mirë, të studiosh dhe të jesh i përgatitur”, u shpreh Messi.
Tashmë, në Shtetet e Bashkuara, ai takon rregullisht ‘yje’ ndërkombëtarë, biznesmenë dhe figura të njohura botërore. Sipas tij, pikërisht në këtë ambient ka ndier pasojat e mungesës së njohurive në anglisht.
“U them fëmijëve të mi që sot e kanë mundësinë dhe nuk duhet ta shpërdorojnë. Kam pasur kohë të mësoj anglisht kur kam qenë i vogël dhe nuk e bëra. Kam qenë budalla. Tani gjendem mes personaliteteve të jashtëzakonshme dhe, ndonjëherë, ndihem injorant”, përfundoi argjentinasi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: