Antoine Griezmann ka hedhur poshtë zërat që e lidhin me një transferim të afërt në Major League Soccer, konkretisht tek Orlando City, që sipas disa raportimeve pritej të ndodhte në muajin mars.
Sipas burimeve pranë dhomave të zhveshjes së Atletico Madridit, sulmuesi francez është thellësisht i bezdisur nga këto lajme, të cilat i konsideron të pavërteta dhe një sulm ndaj profesionalizmit të tij. Spekulimet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u morën edhe nga media me shtrirje ndërkombëtare, por rrethi i lojtarit ka mohuar kategorikisht çdo negociatë.
Griezmann nuk ka ndërmend të largohet nga klubi në mes të sezonit, në asnjë rrethanë. Edhe pse në të kaluarën ai ka shprehur simpati për kulturën amerikane dhe nuk e ka përjashtuar një eksperiencë në SHBA, një hap i tillë i përket së ardhmes dhe jo së tashmes.
Fokusi i tij aktual është rikthimi në formën më të mirë për të ndihmuar Atleticon në objektivat sezonalë në La Liga, Kupë dhe në arenën europiane. Kontrata e tij me klubin madrilen është e vlefshme deri në vitin 2027 dhe edhe drejtuesit e klubit kanë transmetuar qetësi dhe besim të plotë te lojtari.
Në këtë mënyrë, “7”-a kuqezi riafirmon besnikërinë ndaj Atleticos, duke i mbyllur për momentin derën çdo spekulimi për një largim të parakohshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: