Juventusi dhe Galatasaray përballen sërish mes tyre, pak më shumë se një javë pas ndeshjes së parë të “playoff”-it në Stamboll. Skuadra turke ka hedhur një hap gjigant drejt kualifikimit në 1/8-at e UEFA Champions League pas fitores së thellë 5-1 në sfidën e parë, ndërsa bardhezinjtë janë të detyruar të realizojnë një përmbysje historike. Takimi nis në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga portugezi Joao Pinheiro.
Si vjen Juventusi: Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti nuk po kalon momentin më të mirë, pasi vjen edhe nga një humbje në kampionat ndaj Como-s. Në portë pritet të konfirmohet Di Gregorio, ndërsa mungesat për shkak pezullimi të Cambiaso-s dhe Cabal peshojnë jo pak.
Në mesfushë, Locatelli pritet të mbështetet nga Koopmeiners dhe Thuram. Në mbrojtje rikthehet Kalulu në krahun e djathtë, ndërsa Gatti është gati nga minuta e parë nëse Bremer nuk arrin të rikuperohet. Në sulm rikthehet David, ndërsa Yildiz ka dhënë sinjale pozitive dhe mund të jetë në dispozicion.
Si vjen Galatasaray: Edhe skuadra turke vjen nga një humbje në kampionat, por avantazhi i thellë nga ndeshja e parë i jep qetësi. Trajneri pritet të konfirmojë pothuajse të njëjtin formacion fitues. Sanchez rikthehet në qendër të mbrojtjes, Torreira do të luajë si regjisor përkrah Sara-s, ndërsa në sulm titullar pritet Osimhen, i cili mungoi në fundjavë për shkak të një shqetësimi në gju. Në krahë do të jenë Yilmaz dhe Lang.
Juventusi ka nevojë për një mbrëmje perfekte për të mbajtur gjallë ëndrrën europiane, ndërsa Galatasaray kërkon të administrojë avantazhin dhe të mbyllë llogaritë e kualifikimit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: