Klubi i Lazios i është drejtuar zyrtarisht policisë në Romë, duke depozituar një denoncim ndaj një personi që, sipas drejtuesve bardhekaltër, ka sabotuar disa transferime të rëndësishme gjatë merkatos.
Lajmi ishte paralajmëruar më herët nga drejtori sportiv Angelo Fabiani gjatë konferencës për shtyp në prezantimin e Ratkov dhe Taylor, ndërsa tashmë ka marrë formë zyrtare me denoncimin e paraqitur në organet kompetente.
Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një menaxher të njohur ndërkombëtar, i cili në të paktën tre raste ka kontaktuar lojtarët ose përfaqësuesit e tyre, duke folur negativisht për Lazion dhe vetë Fabianin.
Këto ndërhyrje kanë ndikuar drejtpërdrejt në dështimin e transferimeve të Ruben Loftus-Cheek, Lazar Samardžić dhe Kenneth Taylor.
Në dy rastet e para, taktika e përdorur ka rezultuar efektive, pasi lojtarët kanë refuzuar kalimin te Lazio.
Ndërkohë, ajo nuk ka funksionuar në rastin e Taylor, i cili tashmë është zyrtarisht pjesë e skuadrës bardhekaltër.
Denoncimi është bërë pas zbulimit të mesazheve që menaxheri i Taylor i ka treguar Fabianit.
Në to, menaxheri ndërkombëtar pretendonte se transferimi nuk duhej të realizohej, pasi kështu “e kishin kërkuar dy persona shumë të fuqishëm” që qëndronin pas tij, duke shtuar se e njëjta metodë ishte përdorur edhe në rastet e mëparshme të dështuara.
Për momentin, identiteti i dy personave të përmendur në mesazhe mbetet i panjohur, ndërsa denoncimi zyrtar është bërë ndaj menaxherit ndërkombëtar, për të cilin ekzistojnë prova konkrete në formën e komunikimeve të shkruara.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: