Tenisti italian, Jannik Sinner, ka vazhduar rrugëtimin e tij të shkëlqyer në Australian Open, duke mundur Luciano Darderi-n me rezultatin 6-1, 6-3, 7-6 (7-2) dhe duke siguruar vendin në çerekfinale të turneut.
Pas një ndeshjeje që zgjati 2 orë e 9 minuta, Sinner barazoi rekordin e emrave si Grigor Dimitrov, Kei Nishikori dhe Stefanos Tsitsipas për më shumë paraqitje në këtë fazë të turneut. Numri 2 i botës tregoi një lojë me saktësi të jashtëzakonshme dhe efikasitet të lartë, duke mos lënë shumë hapësirë për dilema apo drama gjatë takimit.
Sinner pranoi se ndeshja nuk ishte e lehtë, pasi miqësia jashtë fushës me Darderi-n e bëri më të vështirë mbylljen e ndeshjes:
“Ishte shumë e vështirë. Ne jemi miq të mirë jashtë fushës, dhe kjo është një sfidë shtesë kur duhet të mbyllësh lojën,” – tha Sinner.
Në setin e tretë, Sinner pati disa mundësi për të bërë ‘break’, por nuk ia arriti menjëherë. Megjithatë, ai arriti ta përfundonte ndeshjen në tri sete, duke treguar qetësi dhe kontroll mbi situatën. Ai vazhdoi serinë e tij të përkryer ndaj italianëve në turne, me 18 fitore dhe 0 humbje.
Në çerekfinale, Sinner do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Ben Shelton (SHBA) dhe Casper Ruud (Norvegji), duke synuar të bashkohet me Novak Djokovic-in si një nga lojtarët që kanë fituar tre tituj radhazi në Australian Open.
Kjo fitore vërteton edhe një herë fuqinë e Sinner si një nga pretendentët kryesorë për titullin në Melbourne këtë vit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: