Java e 22-të e Serie A sjell barazimin e parë sezonal për Romën, e cila deri tani në kampionat kishte njohur vetëm fitore ose humbje. Verdhekuqtë ndalën Milanin në barazim 1-1 në “Olimpico”, një rezultat që i hap rrugë Interit të shkëputet në +5 nga kuqezinjtë dhe i lejon Romës të barazohet me Napolin në renditje.
Pas një pjese të gjatë loje të ekuilibruar dhe me pak raste të pastra, më në fund është zhbllokuar sfida në stadiumin “Olimpico”, ku festa momentalisht është e “Djallit”. Në minutën e 62-të, Milani kalon në avantazh, falë golit të shënuar nga Koni De Winter, i cili përfitoi nga një hapësirë në zonë dhe e dërgoi topin me kokë pas shpinës së portierit, duke heshtur përkohësisht tifozët vendas. Krosim perfekt i Luka Modric-it.
Deri në atë moment, Roma kishte provuar disa herë të rrezikonte. Rasti më i mirë për verdhekuqtë erdhi në fundin e pjesës së parë, në minutën 45+1’, kur Zeki Çelik goditi fort nga brenda zonës, por Mike Maignan u tregua i vëmendshëm dhe grushtoi topin, duke e devijuar në këndore.
Edhe Donyell Malen ishte disa herë protagonist për Romën. Në minutën e 19-të, sulmuesi u gjend i pari ndaj një topi të lirë në zonë, por tentativa e tij shkoi ngushtë jashtë shtyllës së djathtë. Vetëm një minutë më parë, Malen kishte kërkuar edhe një penallti pas një kontakti me mbrojtësin, por arbitri vazhdoi lojën, duke mos sinjalizuar asgjë.
Kthehet shpejt baraspesha në ‘Olimpico’, Pellegrini tregohet i saktë nga pika e bardhë, 1-1.
Ndeshja u mbyll 1-1, me nga një pikë për secilën skuadër. Në renditje, Roma e Gasperinit ngjitet në kuotën e 43 pikëve, në të njëjtin nivel me Napolin e Conte-s, përpara Juventusit me 42 pikë dhe Comos me 40, ndërsa Interi përfiton nga ky barazim për të forcuar kryesimin.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: